Lajme

Peci: Pyjet, resurs i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës


Ilustrim, nga diskutimi i zhvilluar për rishikimin e sektorit të pylltarisë

Rëndësia e pyjeve të Kosovës, në aspektin ambiental dhe ekonomik, ka qenë tema kryesore, të cilën ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka zgjedhur ta diskutojë së fundi.

“Pyjet mbulojnë gati gjysmën e Kosovës, andaj në aspektin ambiental dhe ekonomik paraqesin një proces strategjik. Ne, në programin tonë, kemi prioritet pikërisht këtë tematikë, dhe rrjedhimisht kjo krijon lirimin e vendeve të punës për ata persona që jetojnë në këto zona me pyje”, ka thënë Peci, gjatë një diskutimi, i cili kishte të bënte me rishikimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë.

Sipas tij, qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që korniza ligjore e sektorit të pylltarisë të jetë një ndër prioritetet e qeverisë.

“Ne këtë vit do aprovojmë ligjin e ri të pyjeve, i cili definon qartë ruajtjen e pyjeve dhe rregullon shfrytëzimin e produkteve dhe rritjen e transparencës”, ka thënë ai.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, pjesëmarrëse në këtë diskutim, vlerëson se pyjet e Kosovës kanë rëndësi strategjike për Kosovën, prandaj ato duhen të jenë prioritet për qeverinë.

“Kosova po përballet me sfida të mëdha të degradimit të ajrit, ujit e pyjeve dhe këto duhet të jenë synime dhe prioritete të qarta për Kosovën”.

Ndërsa, sipas Ulrika Richardson, Koordinatore për zhvillim e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë, pyjet duhet trajtuar me kujdes, për shkak të pasurisë të çmuar që kanë.

“Me zbutjen e situatës së Covid-it, kemi problemin tjetër lidhur me natyrën, pylltaria nuk është vetëm një sektor dhe një vlerë shoqërore dhe ekonomike, ku shumë njerëz varen nga ky sektor dhe vlerë kulturore”, tha Richardson.

Në territorin e Kosovës ekzistojnë dy parqe kombëtare.

Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna, i cili ndodhet në pjesën perëndimore të Kosovës, përfshin një sipërfaqe prej 62 mijë 488 hektarë.

Ndërsa Parku Kombëtar Malet e Sharrit shtrihet në pjesën jugore të Kosovës, ku mbulon një sipërfaqe prej 53 mijë 272 hektarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore