Kosova

Peci kundër nismës për t’u larguar me peticion: Pse të shkarkohemi, më mirë të kemi marrëveshje


Ilir Peci

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është shprehur kundër nismës së Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë të komunave Veriore përmes peticionit.

Preferenca e tij është një marrëveshje ndryshe, pasi që nuk e sheh si të arsyeshëm shkarkimin nga dikush tjetër.

“Kjo mënyra e peticionit mua nuk është aspak duke më pëlqyer, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë ty, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit, gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi”, ka thënë Peci në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress.

Përkundër kësaj, ai ka potencuar se punët në këtë komunë në përgjithësi janë duke shkuar mirë, por u ankua se nuk po i lejohet qasja në buxhet.

“Punët janë duke ecur mirë, duke llogaritur kabinetin, drejtorët, do të thotë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe unë si kryetar komune jam duke u munduar në këtë drejtim që të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit, mirëpo problemi kyç është se ende nuk na është lejuar qasja në buxhet, andaj po kemi probleme në këtë drejtim”.

Peci theksoi të ketë kërkesa për të kryer shërbime nga qytetarët, si nga ta serbë, të cilët janë shumicë në këtë komunë, por edhe nga ata shqiptar.

“Kemi bllokadë në të gjitha format për shkak të buxhetit, ky është problemi kyç, kurse punët tona dhe shërbimet jemi duke i kryer”.

Edhe për Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, mënyra më e mirë për të arritur tek zgjedhjet e reja, është dorëheqja e katër kryetarëve shqiptarë të komunave Veriore, pasi që ai vlerëson se kjo formë është më dinjitetshme.

“Unë do t’i përshtatem çfarëdo forme ligjore që rrjedhin nga institucionet e Republikës se Kosovës. Mirëpo sa i përket kësaj iniciative (udhëzimit administrativ) për mendimin tim, duhet të ketë marrëveshje politike, dorëheqje vullnetare koordinuar, do të ishte më e dinjitshem, për mendimin tim. Meqenëse ky vendim është i kryeministrit, natyrisht është i bazuar në një bazë ligjore”.

Por, iniciativën e shkarkimit unë e shoh si problematike dhe e shoh si të pa dinjitetshme sepse këtu ka edhe probleme, pastaj procedurat deri te shkarkimi”, ka deklaruar Zeqiri në një prononcim për media me 11 gusht.

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim me 1 gusht që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kupton se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Vendimi i MAPL-it

Afati i Grupit Punues për ta hartuar Udhëzimin Administrativ dhe për ta proceduar tek zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së është deri më datën 1 shtator.

Vendimi i nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që përmes peticionit të largohen kryetarët e komunave Veriore, vjen pasi që Kosova pranoi një pjesë të planit të de-eskalimit të situatës në Veri më 10 korrik, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Kjo kishte ndodhur pas takimit në Bratislavë të Sllovakisë në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialog me Serbinë, Bensik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Qeveria – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore