Kosova

Peach: Autorët e sulmit ndaj ushtarët e NATO-s dhe atij që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator të mbahen përgjegjës


Si “incident shumë serioz” e ka cilësuar sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, i dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës, derisa ka kërkuar që autorët të vihen para drejtësisë.

“Ishte një incident shumë serioz, të cilin vazhdojmë jo vetëm ta dënojmë, por të bëjmë thirrje për një hetim të mirëfilltë dhe të vërtetë policor. Ende po mundohemi të zbulojmë faktet. Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës”, tha Peach.

Kur është pyetur për përfshirjen e Serbisë në këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ai ka shtuar se “ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet”.

“Nuk dua të spekuloj përderisa të mos kemi më shumë informacion. Por, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të mundohemi të nxisim nevojën për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, potencoi ai.

Peach është pyetur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa ka shtuar se ky mekanizëm duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Asociacioni nuk është krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve”.

Ushtaraku britanik vuri në pah se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështes dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe procesin që çon drejt normalizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore