Lajme

PDK-ja propozon pesë zgjidhje për dalje nga kriza ekonomike


Arben Mustafa.

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar pesë propozimet e kryetarit Memli Krasniqi, për të ndihmuar qytetarët në përballje me krizën ekonomike.

Prezantimin e bëri Arben Mustafa nga kjo parti i cili theksoi se duhet të lirohen nga TVSH-ja të gjitha mallrat esenciale për një periudhë gjashtëmujore, po ashtu të lirohet nga TVSH-ja konsumi i energjisë, e po ashtu të lirohen nga akciza produktet e naftës.

“Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha mallrat esenciale të konsumit për një periudhë gjashtë-mujore. Duke marrë parasysh se kostoja mesatare e shportës së produkteve ushqimore esenciale për një familje kosovare është rreth 422 euro, nga kjo masë një familje mesatarisht do të përfitonte një zbritje të kostos së jetesës prej 33,76 euro në muaj; Të lirohen nga akciza produktet e naftës për një periudhë gjashtë-mujore, gjë e cila do të ulë çmimin e naftës për 36 centë në litër”.

PDK-ja ka theksuar edhe përfitimet kështu duke llogaritur shpenzimet mujore për familjet.

“Duke supozuar një shpenzim mujor prej 60 litra naftë në muaj për një familje, atëherë përfitimi direkt mesatar mujor nga kjo masë do të ishte 21.6 euro në muaj; Të lirohet nga TVSH-ja konsumi i energjisë elektrike për një periudhë gjashtë-mujore dhe të subvencionohen me 25% faturat e atyre që konsumojnë deri në 1200 kwh”.

Partia Demokratike e Kosovës.

“Duke marrë për bazë një faturë prej rreth 90 euro që rezulton nga një konsum i tillë, atëherë vlerësojmë se përfitimi mujor nga kjo masë për një familje do të jetë 27.9 euro; Të rriten pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për të paktën aq sa është norma mesatare e inflacionit (rreth 15%)”.

Ndërkaq supozimi i tyre vjen duke u bazuar në pagën mesatare të vitit 2022.

“Nëse e marrim për bazë pagën mesatare prej 484 euro sa ka qenë në vitin 2021, atëherë përfitimi mujor nga kjo masë për punonjësit do të ishte rreth 72.6 euro në muaj; Të lejohet tërheqja deri në 30% e kursimeve pensionale dhe të rimbursohet gradualisht shuma e tërhequr për kontribuuesit që kanë më pak se 10,000 euro në llogaritë e Trust-it”.

“Nëse i mbledhim efektet e pritura vetëm nga katër masat e para, pa e përfshirë tërheqjen e mjeteve nga Trusti, atëherë shohim se përfitimi për një familje mund të arrijë mesatarisht deri në 155.86 euro për muaj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, që i bie mesatarisht 935.16 euro për gjashtë muaj”, tha Mustafa.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si i është përgjigjur krizës ekonomike, duke e quajtur si joserioze dhe përjashtuese.

“Këto masa pra paraqesin një kornizë më të dinjitetshme dhe më gjithëpërfshirëse të mbështetjes së qytetarëve, duke përfshirë edhe sektorin privat që deri më tani nuk ka gëzuar mbështetje domethënëse nga e shtetit. Me zbatimin e këtyre masave, qytetarëve do t’u ofrohej siguri për periudhën e ardhshme dhe po ashtu, përmes nxitjes së kërkesës së përgjithshme, do të ndihmohej rigjallërimi i aktivitetit ekonomik, i cili po shfaqet me tendenca të dobësimit”.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.

Në një situatë të tillë, shtuar këtu edhe reduktimet e rrymës që tashmë kanë nisur, autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar “dimër të vështirë”, por janë zotuar se do t’i subvencionojnë disa produkte për ngrohje.

“Ekzekutivi do të subvencionojë pompat termike, stufat me pelet, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet familjeve që marrin ndihma sociale, duke subvencionuar edhe ngrohjen me dru zjarri”, kishte deklaruar më 10 gusht ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore