Lajme

PDK-ja kërkon zgjedhje sa më shpejt: Kosova është në stagnim të plotë


Mbledhja e kryesisë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes mbledhjes të mbajtur të premten ka kërkuar që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje kjo për shkak të ngecjeve në shumë drejtime nga politika aktuale e cila udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, duke parë stagnimin politik dhe ekonomik në vend, e posaçërisht dëmtimin e mirëqenies së qytetarëve, ka shprehur edhe një herë nevojën për zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Sipas PDK-së, Kosova ka nevojë për një Qeveri “kredible, të aftë” dhe e cila përmirëson jetën e qytetarëve dhe zhvillon shtetin që nga kjo parti është thënë se “më shumë se tri vite vendi është në stagnim të plotë”.

“PDK, nga shkurti i këtij viti, me vendim të Këshillit Drejtues, ka nisur mobilizimin e të gjitha strukturave për zgjedhje të reja. Ndërkaq, me 27 mars, Kryetari Memli Krasniqi ka nominuar edhe zyrtarisht Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër të Kosovës”.

Ndërsa, thuhet se anëtarët e kryesisë e kanë përshëndetur votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u miratua raporti që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Kryetari Krasniqi ka falënderuar Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), parti ku bën pjesë edhe PDK-ja, për angazhimin e madh në interes të Kosovës në çdo hap të këtij procesi. PDK beson se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, për të cilën është punuar me vite, i shërben forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”.

Tutje, kjo parti ka bërë thirrje tek institucionet që të punojnë për votimin final për anëtarësimin në këtë këshill.

“PDK u bën thirrje institucioneve të Kosovës që gjatë këtij muaji të lobojnë dhe koordinohen me të gjithë aleatët tanë ndërkombëtarë, që votimi final i Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet në muajin maj, të jetë pozitiv”.

Më 27 mars, PDK-ja kishte nominuar kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, si kandidat për kryeministër të Kosovës.

Lajmi ishte bërë i ditur në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, në të cilën Hamza ishte zotuar se do ta respektojë pavarësinë institucionale, do ta rris  ekonominë e Kosovës dhe do t’i ruajë e kultivojë raportet e mira me aleatët ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore