PD vijon akuzat në Komisionin e TIMS: Me kërkesë të politikës, u cenua siguria kombëtare

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 12:47
Loading Icons...

Sipas Partisë Demokratike, siguria kombëtare është cenuar nga ndërhyrjet jo korrekte në sistemin TIMS.

Kështu ka akuzuar demokrati demokrat, Asllan Dogjani, teksa ka folur në mbledhjen e radhës të Komisionit hetimor për të dhënat e sistemit TIMS.

Sipas tij, me urdhër të politikës, është kërkuar të fshihen gjurmët nga TIMS-i.

“Është provuar se në sistem është ndërhyrë dhe janë eksportuar të dhënat, me USB, dhe ndodhen në Prokurorinë e Tiranës. Kanë dalë raste kur zyrtarë, ku shihen përmes sistemit TIMS, udhëtojnë me eksponentë të krimit, si Ahmetaj (i referohet ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj)”, përshkruan Dogjani.

Më tej, ai ka thënë se është dikush nga politika, më saktësisht nga Qeveria, që e ka kërkuar një ndërhyrje në këtë sistem, për të marrë të dhënat.

“Duhet të bëjmë gjithçka për të provuar se kush i ka shtyrë këto. Ne kemi dyshimet tona. Në këtë kohë është cenuar siguria kombëtare dhe të dhënat e shqiptarëve. Janë eksportuar miliona lëvizje të qytetarëve shqiptarë, ndaj duhen mbledhjet e hapura”, përmendi më tej ai.

Nga ana tjetër, dëshmitë në këtë Komision kanë vazhduar me Neritan Nallbatin, drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale.

Ai është dëshmitari i radhës që do të merret në pyetje sot nga Komisioni Hetimor për sistemin TIMS.

Megjithatë, me votat e Partisë Socialiste, ai do të dëshmojë me dyer të mbyllura.

Kjo ka hasur fillimisht në rezistencën e opozitës, e cila edhe e drejton Komisionin përmes deputetit Ervin Salianji.

Vetë Salianji ka garantuar se e gjithë çështja, pavarësisht kërkesave për dëshmi me dyer të mbyllura, do të zbardhet herët ose vonë dhe se e gjitha është çështje kohe.

Teksa, nuk ka munguar edhe kërkesa e llogarisë, për mosparaqitjen e drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, për të dëshmuar.

“Pse datë dasme është? Nuk është me qejf, është me detyrim të vijë, është e disata herë që të thuhet kam një punë, duhet të jemi serioz. Është e pajustifikueshme të thuhet “nuk vij se kam një punë”. Shërbimi informativ është për interesa private? Nuk e bën dot ajo këtu atë që bën te komisioni i Sigurisë, që nuk vjen fare”.

Deputeti demokrat, Lefter Gështenja, nga ana tjetër, ka kërkuar që mbledhjet dhe dëshmitë të zhvillohen të hapura, pasi edhe në të shkuarën, asnjë nga dëshmitarët e pranishëm nuk ka deklaruar të dhëna konfidenciale.

Më tej ai shprehet se kërkon mirëkuptimin e mazhorancës që Komisioni të zhvillohet me dyer të hapura, gjë e cila tregon transparencë.

Por nëse ndonjë dëshmitar ka diçka konfidenciale, apo informacion sekret që mund të ndikojë tek hetimet atëherë le ta deklarojë me dyer të mbyllura, u shpreh deputeti Gështenja.

“Nuk kemi parë ende gjë konfidenciale nga dëshmitarët që kanë deklaruar në Komision. Do përsëris kërkesën time që çdo dëshmitar të jap dëshminë e tij në mbledhjen e hapur, nëse ka gjëra konfidenciale atëherë le të deklarojë me dyer të mbyllura”, reflektoi ai

Më tej shtoi: Nëse ka dëshmitar që ka informacione sekrete, apo që ndikojnë në procesin e hetimeve, atëherë lë të mbyllen dyert dhe ta deklarojë.

Puna e Komisionit vijon ndërkaq me dyer të mbyllura.