Shqipëria

PD miraton emrat për Kryesinë e re, Berisha: Listë e shkëlqyer


“Komisioni në mbledhjen e tij, siç parashikon statuti, ka miratuar listën e kandidatëve për kryesinë e PD-së”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, bëri me dije se kanë miratuar listën e anëtarëve të rinj të Kryesisë e cila do të zgjidhet nesër nga Këshilli Kombëtar i kësaj partie.

“Janë propozuar kandidatura me kredenciale të shkëlqyera politike dhe kandidatura të reja”.

Sipas tij, anëtarët e Këshillit Kombëtar do të kenë mundësi që të zgjedhin me kandidatura alternative Kryesinë e PD-së.

Emrat që bien në sy janë Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Çlirim Gjata dhe Oerd Bylykbashi, funksionarë të cilët u pezulluan më parë nga ish-kryetari Lulzim Basha, pas përplasjes me këtë të fundit.

Nga emrat të cilët janë aktualisht anëtarë kryesie janë përsëri në garë Enno Bozdo, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.

Kjo lëvizje e Berishës, erdhi pesë ditë pas zyrtarizimit të Berishës në krye të demokratëve.

Ai e ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike pas 9 viteve.

Në zgjedhje, Berisha fitoi 93.45% të votave në të gjitha degët e Partisë, duke mundur kështu kandidatin tjetër dhe të vetmëm, Ibsen Elezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore