Shqipëria

PD marrëveshje koalicioni me PBDNJ-në për zgjedhjet vendore


Partia Demokratike ka nënshkruar këtë të mërkurë një marrëveshje koalicioni me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, për sa i përket zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Në Bashkitë e Himarës, Dropullit dhe Finiqit koalicioni i Berishës dhe Metës nuk do të kenë kandidatë pasi ia kanë lënë zonën PBDNJ-së së Vangjel Dules.

Fredi Bejleri do të jetë kandidat në Bashkinë e Himarës, Thanas Maneka për Dropullin ndërsa për Finiqin do të jetë kryebashkiaku aktual, Leonidha Kristo.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se bashkitë do i kthehen qytetarëve.

“Do i japim një goditje fatale sistemit monist, por nga ana tjetër synojmë t’ju kthejmë bashkitë qytetarëve shqiptarë. Ti kthejmë bashkitë në shtëpitë e përbashkëta të qytetarëve shqiptare. Qytetarët e parë të këtyre bashkie të kenë vetëdijen e plotë, përgjegjësinë e plotë, për të funksionuar si shërbëtorë të këtyre qytetarëve”, tha Berisha.

Ndërsa kreu i PBDNJ theksoi se bashkëpunimi me demokratët për partinë e tij ka qenë gjithmonë i suksesshëm.

“Shpreh kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes me Sali Berishën. Është një bashkëpunim i hershëm me Partinë Demokratike, dhe shpesh i suksesshëm. Dua të veçoj këtu -2005-2009, që është një prej katërvjeçarëve më të mirë të qeverisjes”, tha Dule.

Sipas tij, demokracia dhe shteti në Shqipëri aktualisht është në intubim.

“Rruga është e gjatë, e vështirë por na garanton fitoren. 14 maji të jetë një pikë e rëndësishme kthese për mbarësi dhe përparim”, shtoi ai duke nënvizuar se “ndryshimi në bashkitë e vendit do të jetë shumë i madh”.

Kujtojmë se tre muaj më parë, Berisha nënshkroi marrëveshje me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Në marrëveshje thuhej se konkurrimi për kryetarët e bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike.

Nënshkruhet marrëveshja Berisha-Meta për zgjedhjet lokale

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore