PD-ja dënon vendimin e Apelit për Salianjin

Partia Demokratike e Shqipërisë e konsideroi vendimin e Apelit për deputetin Ervin Salianji si "dënim politik" 
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
26.09.2024 18:13
Loading Icons...

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar njëzëri pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila la të enjten e 26 shtatorit në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji.

Salianji u dënua nën akuzën për “kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”, pasi denoncoi lidhjet e dyshuara të qeverisë me trafikantë dhe personazhe të krimit të organizuar.

Nga ana e tij, deputeti demokrat u shpreh se gjykata kishte “ardhur me vendim të parapërgatitur” dhe se kjo “vendimmarrje është politike”.

“Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme, do ta bëj nga burgu. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh”, deklaroi ai mes të tjerash para mediave.

Kreu i demokratëve, Sali Berisha shprehu në median sociale “X” se Salianji “u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa në një akt hakmarrje të verbër politike për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar”.

Sipas tij, dënimi i Ervin Salianjit dëshmon se në këtë vend “droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se ky vendim “nuk është kundër Salianjit, por kundër çdo qytetari”.

“Geron Xhafa është një trafikant i dënuar droge. Këtë ka thënë Ervin Salianji dhe po shkon në burg. Është kaluar ajo vija e hollë e kuqe që ndante demokracinë e brishtë shqiptare me diktaturën. Kush e dha sot vendimin, një gjyqtar që ka qenë përfaqësues politik në KQZ për Socialistët që ka marrë premtimin nga Xhafaj që do shkojë anëtar në Gjykatën e Lartë”, tha Bardhi pas reagimit për gazetarët në selinë blu.

Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, konsideroi në reagimin e tij se “të dënosh me burg një deputet të opozitës përse denoncon vëllain trafikant droge të ministrit të Brendshëm ndodh vetëm në Shqipëri”.

“Ndërkohë që Ervin Salianji sot u dënua me burg nga gjykatat politike të Ramës, Armando Lilo i Fatmirit dhe Erionit, ai i 7 kateve pa leje, vijon grabitjen e miliona eurove me pronat e falura dhe falsifikuara nga vetë dyshja Xhafa – Veliaj”, vëren drejtuesi politik i PD-së në Tiranë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj e quajti dënimin “pranga në duart e opozitës” duke theksuar se dënimi ndaj Salianjit vjen në një kohë kur “pushteti ka marrë revansh për zhbërjen dhe asgjesimin e opozitës”.

“Dënimi i Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, drejtuesit politik të Qarkut të Elbasanit, politikanit të spikatur, deputetit Ervin Salianji është akti i fundit politik i gatuar në kuzhinën e rilindjes dhe formalizuar nga gjykata sot. Dënimi, vjen në një kohë kur pushteti ka marrë revansh ndaj fjalës së lirë dhe frikës së humbjes së pushtetit. Kjo është një ditë e zezë për drejtësinë dhe për demokracinë”, mendon ai.

Edhe nënkryetari Luçiano Boçi e argumentoi si “politik” burgosjen e Salianjit “si pasojë e betejës së tij kundër Edi Ramës”.

“Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij…ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: ‘O sot, o kurrë’ kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij”, vijon Boçi.

Kujtojmë që, vendimi i marrë është përfundimtar dhe pritet që prokurori i çështjes të firmosë urdhër-ekzekutimin, sipas të cilit Salianji duhet të kryejë dënimin me një vit burg.

Salianji preket ndërkohë edhe nga ligji i Dekriminalizimit. KQZ-ja i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por dhe të vitit 2029.

Përfaqësuesit ligjor të deputetit demokrat zbuluan për Albanian Post se hapi i radhës do të jetë rekursi në Gjykatën e Lartë, ndërsa kërkesa për vënien në provë, pra lirimi me kusht mund të bëhet në javët në vijim.

Gjithçka nisi kur Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë”.

Kjo, lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi asokohe 1 vit burg për ish-deputetin Salianji nën akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën edhe ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata, me kërkesë të Ministrisë të Drejtësisë, vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.