Shqipëria

PD dërgon në KQZ emrat e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve për 14 majin


Partia Demokratike ka dërguar këtë të premte të 27 janarit në KQZ emrat e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet e 14 majit.

Kjo pasi afati për dorëzimin e emrave mbaron ditën e diel në mbrëmje.

Lista me emrat mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD-së Flamur Noka.

Sakaq, KQZ-ja do të shprehet me vendim kur të dorëzojë listën me emra edhe grupi i Enkelejd Alibeajt.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, më herët ka deklaruar se në momentin që do të vijnë propozimet për anëtarë të KZAZ-së do të vlerësohet legjitimiteti i atij personi që në emër të PD-së paraqet këto propozime.

Ai ka theksuar po ashtu se do të vlerësohet legjitimiteti i autorizimit në qoftë se do të paraqitet ky propozim nga anëtarë të KZAZ-së.

Dhe se aktualisht përfaqësues ligjorë janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, por se ka komunikime edhe me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD.

“Ne kemi komunikim institucional me PD-në. Deri në momentin që flasim përfaqësues i PD-së në KQZ është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime të karakterit profesional qoftë me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD”, ka thënë ai.

Ai ka vijuar duke thënë se do të vlerësohet legjitimiteti i atij që përcjell dokumentacion në KQZ. “Në kuptimin është apo nuk është ky person me tagër për të sjellë në emër të PD-së kërkesa të ndryshme, propozime”.

“Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ merr nga Gjykata e Tiranës”, ka treguar Celibashi.

Gjithashtu ka thënë se organin që përfaqëson një parti politike, nuk e vendos KQZ.

“Kjo është një çështje që nuk e vendos KQZ-ja se kush është organi që përfaqëson një parti politike, që udhëheq një parti politike nuk e vendos KQZ-ja, është një institucion tjetër dhe ne do të vlerësojmë në momentin që do të kemi këto kërkesa çfarë legjitimiteti ka ky apo ai person”, ka dalluar Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore