Kosova

Pasi u kuptua skandali, Avokatura Shtetërore dorëzoi padi ndaj kompanive turke dhe polake për rezervat shtetërore


Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Më 2 gusht, Avokatura Shtetërore e Kosovës, ka ushtruar padi ndaj dy operatorëve ekonomikë, kompanisë së grurit nga Turqia “Yafe Turizm Insaat” dhe kompanisë së vajit nga Polonia “Xanto SP.Z.O.O”.

Lajmin e ka konfirmuar Avokatura Shtetërore e Kosovës për “Betimin për Drejtësi”.

“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Avokatura Shtetërore ka iniciuar konteste gjyqësore – padinë në Gjykatën Komerciale në Prishtinë ndaj dy operatorëve ekonomikë, Yafe Turizm Insaat dhe Xanto SP.Z.O.O”.

“Paditë janë dorëzuar më datë 02.08.2023”, thuhet në përgjigjen e Avokaturës Shtetërore.

Padia ndaj dy kompanive është ushtruar pasi një pjesë e grurit, vajit dhe sheqerit që ishin blerë për rezerva shtetërore gjatë vitit 2022 ende nuk kanë ardhur në Kosovë.

Sipas Prokurorisë Speciale, dëmi ndaj buxhetit të shtetit është mbi 600 mijë euro.

Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ekskluzive: Rozeta Hajdarit ia zhvati afër 600 mijë euro mashtruesi polak Tomasz Tokarski

Çfarë ndodhi?

Në një aksion të Policisë së Kosovës, në mëngjesin e së premtes së 18 gushtit dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.

Policia e Kosovës arrestoi drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Garën dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, nën dyshimin për përfshirje në keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Mbi në të njëjtën dyshim, Policia e Kosovës, të premten arrestoi edhe Ridvan Muharremin, pronarin e furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, i cili është i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në anën tjetër Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se dy zyrtarëve të arrestuar të Ministrisë së Industrisë dhe biznesmenit Muharremit, i janë caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Aksionet e Policisë së Kosovës janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga mediumi “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.

Ekskluzive: Rozeta Hajdarit ia zhvati afër 600 mijë euro mashtruesi polak Tomasz Tokarski

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore