Lajme

Pasi 3 diplomatë çekë vdesin papritur, Praga i kërkon stafit të përmirësojë ekuilibrin mes punës dhe jetës personale


Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, i ka dërguar një letër stafit të ministrisë që drejton duke u kërkuar të gjejnë një ekuilibër më të mirë midis jetës profesionale dhe personale.

Kjo, pasi tre diplomatë çekë të moshës 46 deri në 55 vjeç vdiqën papritur në pesë muajt e fundit.

Në letrën e parë nga prestigjiozja “POLITICO”, Lipavsky u kërkon punonjësve të ministrisë të mos e nënvlerësojnë nevojën për t’u kujdesur për shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

“Mos harroni se çdo punë, përfshirë edhe tonën, ka vlerat dhe ambiciet e veta, por edhe kufijtë të shëndetshëm”, thuhet në letër, duke shtuar se do të ishte e këshillueshme që të gjendej një ekuilibër mes punës dhe jetës familjare.

“Humbja e tre diplomatëve, të cilët vdiqën për shkaqe natyrore, tregon se pozicioni i një diplomati përfshin punën në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe shpesh në izolim nga familja”, tha Lipavsky.

Sipas tij, kolegët e kryejnë këtë shërbim edhe në zonat e luftës nën masa të rrepta sigurie me lëvizje të kufizuar.

“Diplomatët janë të ekspozuar jo vetëm ndaj presionit të madh në jetën e tyre profesionale dhe personale, por edhe ndaj kushteve shpesh të vështira klimatike”.

Lipavsky theksoi se ministria e tij është gati të bëjë ndryshime për të ndihmuar diplomatët të përballen me presionet e punës së tyre.

Masat që po diskutohen përfshijnë rritjen e shërbimeve psikologjike për diplomatët dhe familjet e tyre.

“Ekziston një sistem mbështetjeje në ministrinë e punëve të Jashtme, duke përfshirë një psikolog”, tha ambasadorja çeke në BE, Edita Hrda.

Letra e Lipavsky ka të bëjë gjithashtu me punonjësit e përfaqësimit të përhershëm.

Muajin e kaluar, zëvendësambasadorja e Republikës Çeke në Izrael, Monika Studena vdiq papritur në moshën 51-vjeçare.

Në shkurt, Jakub Durr, ambasadori çek në Poloni dhe ish-përfaqësues i përhershëm i Republikës Çeke në BE, vdiq në moshën 46-vjeçare.

Dhe në nëntor në vitin 2022, ambasadorja çeke në Zvicër Katerina Fialkova vdiq papritur në moshën 55-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore