Shqipëria

Pasaportë në këmbim të investimeve, KE paralajmëron Shqipërinë


Komisioni Evropian të mërkurën e 12 janarit ka propozuar një marrëveshje “të udhëtimit pa viza” me arkipelagun e Paqësorit të Vanuatu-s.

Kjo, për shkak të skemës së tij  – ofrimi i pasaportave për të huajt e pasur.

Nëse propozimi mbështetet nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, do të shënohej në histori.

Pasi për herë të parë unioni do të vendosë sanksione ndaj një shteti për këtë skemë, të mirënjohur tashmë.

Ajo çka bie në sy në deklaratën e Komisionit është paralajmërimi për Shqipërinë.

Komisioni bëri me dije se po monitoron shtetet të cilat po udhëtojnë pa viza në BE, por që po planifikojnë të krijojnë skema të dhënies së shtetësisë për investitorët e pasur.

Këtu përfshihen shtete si ishujt e Karaibeve dhe Paqësorit, shtetet e Evropës Lindore, Mali i Zi, Shqipëria dhe Moldavia.

“Komisioni ka arritur në përfundimin se skemat e shtetësisë së investitorëve të Vanuatu-s paraqesin mangësi serioze dhe dështime të sigurisë”, thuhet në një deklaratë.

Sipas skemës, të huajt mund të marrin nënshtetësinë dhe pasaportën e Vanuatu-s në këmbim të një investimi minimal prej 130 mijë dollarësh.

Kjo, nga ana tjetër, u jep atyre qasje pa viza në BE, sipas një marrëveshjeje për heqjen e vizave që vendi ka me bllokun 27-vendesh.

Komisioni ka propozuar pezullimin e udhëtimit pa viza për të gjithë mbajtësit e pasaportave të Vanuatu-s të lëshuara që nga maji 2015, kur programi i investitorëve filloi të funksionojë në vend.

Moratoriumi do të hiqet nëse programi amendohet siç duhet.

Ekzekutivi i BE-së tha se skema konsiderohej e rrezikshme, sepse në thelb pranonte të gjithë aplikantët dhe nuk i kontrollonte mjaftueshëm ata, pavarësisht se disa shfaqeshin në bazat e të dhënave të sigurisë së Interpolit.

Ambasada e Vanuatu-s në Bruksel nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment, kërkuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shumica e shteteve të BE-së kanë skemat e tyre, që ofrojnë pasaporta ose viza për të huajt e pasur, por Komisioni i konsideron shumicën prej tyre në përputhje me rregullat e BE-së, me përjashtim të programeve të krijuara nga Qiproja dhe Malta.

Të dy shtetet po përballen me sfida ligjore nga Brukseli, të cilat u kërkojnë atyre të ndryshojnë programet ose të ndalojnë ekzekutimin për të shmangur rrezikun e gjobës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore