Lajme

Pas vizitës në Kosovë, Dendias flet me Lajçakun


Nikos Dendias, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqis dhe Miroslav Lajçak, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi

Përmes një cicërime në Twitter, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ka treguar se ka biseduar përmes telefonit me Miroslav Lajçak, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Sot kam zhvilluar një bisedë telefonike me Miroslav Lajcak dhe e kam informuar për vizitën time të fundit në Prishtinë”, ka shkruar Dendias.

Se çka saktë ka biseduar me Lajçakun, Dendias nuk e ka bërë publike, por ka thënë se ishte bisedë e rëndësishme.

“Diskutim në kohë të dobishëm për zhvillimet më të fundit lidhur me Dialogun Beograd-Prishtinë”, ka shkruar Dendias në Twitter.

Një ditë më parë, të dielën, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ishte për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me krerët e shtetit.

Presidentja, Vjosa Osmani, pas takimit me Dendias, ka thënë se e vlerëson angazhimin proaktiv të Greqisë në rajon si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, kryediplomati grek, përveç presidentes është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin e me kryediplomaten e Kosovës, Donika gërvallën.  

Diskutimet e Dendias me krerët institucionalë fokus kishin zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse Greqia është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian e cila refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, e njëjta është e interesuar për mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe dominimin e një atmosfere paqësore në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë.

Mediat greke në vazhdimësi kishin theksuar se Greqia i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet vazhdimin e dialogut në favor të një zgjidhjeje të dakorduar reciprokisht të çështjeve të pazgjidhura, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore