Lajme

Pas vërshimeve në Turqi, Kosova ndihmoi me 500 mijë euro – pas vërshimeve në Skenderaj, Mitrovicë të Jugut, Klinë dhe Istog Kosova nuk ndau asnjë cent


Foto: Albanian Post.

Në janar të këtij viti Skenderaj, Mitrovica, Klina dhe Istogu ishin komunat që u përmbyten nga vërshimet e që u shkaktuan dëmtime të mëdha në ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.

Nga llogaritjet përkatëse që kishin bërë komunat dëmet arritën vlerën e mbi 7.8 milionë eurove.

Nga Qeveria e Kosovës u tha se do të ndihmohen këto komuna për t’i riparuar dëmet, por po kalojnë tetë muaj nga vërshimet dhe asnjë ndihmë s’ka shkuar në drejtim të komunave. As që ka plane të ndodhë.

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës e konfirmojnë për Albanian Post se “dora e shtetit” s’u pa prezente në rikuperimin e dëmeve.

Që nga 15 shtatori, Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për t’u informuar rreth buxhetit eventual që do të ndajnë për këto komuna, mirëpo që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

As bujqit që pësuan nga vërshimet vitin e kaluar s’janë kompensuar

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një bisedë për Albanian Post thotë se komunat i kanë përmbushur “të gjithë aspektet ligjore” për të marrë ndihmën, me idenë që diçka do vinte në drejtim të tyre.

“Akoma nuk ka asnjë përkrahje nga Qeveria e Kosovës, akoma nuk i kanë kompensuar dëmet. Komunat i kanë bërë vlerësimet e dëmeve, i kanë përmbushur të gjitha aspektet ligjore sa i përket vlerësimeve të dëmeve, miratimit të listave në Kuvendet Komunale dhe i kanë dërguar në Qeveri, do të thotë këto detyra komunat i kanë përfunduar shumë moti”, thotë Ibrahimi për AP.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Edhe bujqit të cilët kishin pësuar dëme nga vërshimet as ata s’janë kompensuar”.

“Kjo është për keqardhje duke e marrë parasysh që ka biznese familjare të cilat janë dëmtuara dhe kanë pësuar dhe dora e shtetit nuk është ndihmë fare”.

“I kemi ndihmuar disa biznese me aq sa kemi pasur mundësi”

Edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadi Nura, në një bisedë për Albanian Post deklaron se i kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe e kanë dorëzuar listën me kohë për t’u kompensuar, mirëpo që akoma s’kanë përgjigje nga ministritë përgjegjëse.

Nura thotë se veprimet i kanë bërë duke u bazuar në ligje.

“Absolutisht deri tani nuk kemi pranuar asnjë ndihmë, Komisioni komunal dhe qendror e kanë kryer punën e tyre e kanë proceduar listën dhe lëndën ashtu siç thotë edhe ligji. Ndërsa deri sot nuk kemi asnjë përgjigje për asnjë kompensim”.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza dhe kryetari i Skenderajit, Fadil Nura. Foto: Albanian Post.

Në mungesë të ndihmës nga niveli qendror, Nura tregon se ata i kanë “ndihmuar disa biznese me aq sa kemi pasur mundësi”.

“S’ka procedurë ligjore që duhet të plotësohet kur ka fatkeqësi natyrore”

Si Nura edhe Bedri Hamza i Mitrovicës së Jugut shprehet se s’kanë pranuar asnjë ndihmë financiare nga ekzekutivi.

Hamza sqaron për Albanian Post se në rastet kur ka fatkeqësi natyrore si ajo e janarit s’ka procedurë që duhet ndjekur, vetëm se ndihma duhet ofrohet.

“Nuk ka procedura të cilat janë të përcaktuara që duhet të plotësohen kur ka fatkeqësi natyrore dhe vërshime, kur dëshiron t’u ndihmosh komunave ua vendos atyre mjetet financiare”, thotë ai për Albanian Post.

Meqë viktima nuk ka pasur, i pari i Mitrovicës potencon se kanë ndarë një shumë për familjet që kanë pasur dëmtime më madhore.

“Pjesën tonë të obligimeve e kemi përfunduar, mirë që nuk ka pasur viktima, por vetëm dëme materiale. Ju kemi qëndruar afër njerëzve dhe i kemi ndarë secilit nga 2 mijë e 500 euro, që ka pasur dëme materiale të mëdha për t’u ndihmuar atyre sado pak, sidoqoftë deri tani nuk kemi pranuar asnjë ndihmë financiare”.

Vërshimet në komunën e Mitrovicës dhe Skenderajit.

Situata më e rënduar ishte në pjesën perëndimore, veriperëndimore, dhe veriore të Kosovës në janar të këtij viti.

Edhe më 20 janar, Albanian Post kishte kontaktuar komunat që raportohej se kishin dëme më të mëdha materiale.

Në atë kohë u tha se “akomodimi” dhe “furnizimi me ushqim” ishin dy kërkesat kryesore të qytetarëve teksa dëmet kapnin vlerën “milionëshe”.

Në qershor, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti premtoi se vendi do të fillojë të hartojë “strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike”.

Ai tha se Kosova është duke lobuar për të siguruar që të ketë qasje të drejtpërdrejtë në fondet për këtë qëllim.

“Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta”, tha Kurti.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

“Një natë e tmerrshme”, me “dëme milionëshe” – Hamza e Nura flasin për natën e vërshimeve në Mitrovicë e Skenderaj

Vendimi për të mos ndihmuar komunat e Kosovës pas vërshimeve u duk edhe më i çuditshëm, kur Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 13 shtatorit tregoi se ka vendosur të ndajë buxhet prej 500 mijë eurosh për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit vdekjeprurës atje.

“Propozohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 500 mijë eurove për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi”, tha Kurti në mbledhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore