Pajisje

Pas rënies së fitimeve Nokia do të shkurtojë deri në 14 mijë vende pune


Nokia ka njoftuar planet për të shkurtuar deri në 14 mijë vende pune gjatë tre viteve të ardhshme.

Një lëvizje kjo, që vjen prej uljes së kostove pas një rënieje më të keqe se sa pritej në kërkesën për pajisjet e saj të rrjetit celular.

Kompania finlandeze e teknologjisë ka bërë me dije se planet për të shkurtuar 16 për qind të fuqisë punëtore globale prej 86 mijë personash janë pjesë e përpjekjeve për të ulur kostot me 1.2 miliardë euro deri në fund të vitit 2026.

Shkurtimet janë njoftuar sakaq pasi kompania ka zbuluar një rënie prej 70 për qind në fitimet tremujore, të cilat ranë në 133 milionë euro krahasuar me 428 milionë euro një vit më parë.

Shefi ekzekutiv i Nokia-s, Pekka Lundmark, ka thënë se “vendimet më të vështira të biznesit për të marrë janë ato që ndikojnë te njerëzit”.

“Ne kemi punonjës jashtëzakonisht të talentuar në Nokia dhe do të mbështesim të gjithë ata që preken nga ky proces”, ka shtuar ai.

Sipas tij, rivendosja e bazës së kostos është një hap i domosdoshëm për t’u përshtatur me pasigurinë e tregut dhe për të siguruar përfitimin dhe konkurrencën afatgjatë.

“Ne mbetemi të sigurt për mundësitë që na presin”, ka theksuar ai.

Nokia, e cila ka selinë në Espoo, Finlandë, nuk dha detaje se ku do të bien shkurtimet e vendeve të punës.

Aktualisht kompania punëson rreth 37 mijë e 700 njerëz në Evropë, duke përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka zyra në Bristol, Cambridge dhe Reading.

Shkurtimet e vendeve të punës ka të ngjarë të ndikojnë gjithashtu në operacionet e saj në SHBA, ku ka rreth 10 mijë e 500 punonjës në zyra.

Ndërkohë, Nokia ka bërë me dije se shkalla e saktë e programit të uljes së kostove do të varet nga kërkesa për produktet e saj.

Megjithatë, “pret të veprojë shpejt” në mënyrë që të kursejë deri në 400 milionë euro vitin e ardhshëm dhe 300 milionë euro të tjera në vitin 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore