Lajme

Pas reagimit të DASH për shkarkimin e saj nga Presidentja, Valdete Daka: “Drejtësia vonon, por një ditë vjen”


Valdete Daka, Ish-Kryesuesja e KQZ-së

Shkarkimi i ish-Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë, Valdete Daka, nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u gjet në listën e gjatë të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili u publikua një ditë më parë.

“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish-kryetaren e KQZ-së më 14 qershor, katër vite para përfundimit të mandatit të saj të dytë dhe një ditë para zgjedhjeve komunale, nuk mund të merret si adekuat as nga arsyetimi i vendimit e as nga bazat e numëruara në Ligjin Gjeneral të Zgjedhjeve. Rrjedhimisht, të dy vendimet shihen nga partitë opozitare dhe shoqëria civile si politikisht të motivuara”, thuhet në raportin e DASH.

Për ish-Kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, ky koment është një nga shumë komentet e ndërkombëtarëve për mënyrën e padrejtë të shkarkimit të saj.

“Komenti im kish me qenë i tepërt pas asaj që ka thënë DASH”, tha Valdete Daka në një prononcim për Albanian Post.

“Unë e di që drejtësia vonon por dikur vjen dhe vërtetohet ajo çka unë tash e një vit e kam thënë vazhdimisht”, theksoi ajo.

“Unë kisha tërheqë një paralele, shumë interesantë: e pashë që dje zonja Osmani kishte formuar një këshill a komision çka do që ish ajo, për demokraci dhe të drejtat e njeriut dhe paradoksalisht të njëjtën ditë DASH-i e lëshon këtë raportin”, deklaron Daka.

Ish-kryetarja e KQZ-së thotë se atë që po e tregon DASH-i tani, “e kanë ditur të gjithë”.

“Tash e konfirmon edhe DASH-i se zonja Osmani më ka shkarkuar për arsye të cilat vetëm ajo i di, vërtetë i dinë të gjithë, por kryesisht ajo i di dhe kjo është konsideruar ndërhyrje direkte në pavarësinë e institucioneve kushtetuese”.

Valdete Daka, ish-Kryesuese e Komisionit Qendror Zgjedhor

Daka përmendi faktin se rasti i shkarkimit të saj “fatkeqësisht nuk ka arritur të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, për shkak të, siç shprehet ajo, dështimit të Avokatit të Popullit.

“Duke i falënderuar së pari Ombudspersonit i cili po ashtu nuk e ka kryer detyrën e vet kushtetuese dhe obligimin të cilin e ka, i thirrur për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Dhe sigurisht falë partive të cilat kanë hezituar, për arsye politike, për kalkulime politike, ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe të vërtetohet edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese se kjo ka qenë shkelje nga ana e zonjës Osmani”, tha Daka për AP.

“Unë jam shkarkuar vetëm për hakmarrje personale dhe për çështje politike, thjesht zgjedhore për pikë e poenë të cilat tashmë të gjithë i dimë”, potencoi Daka.

Ish-Kryesuesja e KQZ-së, së fundi ka ushtruar një padi për “Shpifje dhe Dëmtim të Imazhit”, ndaj anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshit.

“Kjo ka qenë vetëm për mua”, tha Daka duke theksuar se padinë zyrtarisht e ka dorëzuar avokati i saj në Gjykatën Themelore dhe ende nuk ka ndonjë zhvillim konkret në këtë drejtim.

“Jo për ndonjë dobi materiale, po vetëm që të vërtetohet se krejt çka ka ndodhë para 14 shkurtit ato ditët e zgjedhjeve parlamentare, krejt çka ka ndodhë ka qenë e koordinuar. Ka qenë e orkestruar dhe me të vetmin qëllim që të denigrohet integriteti im personal dhe figura ime si Kryetare e KQZ-së i dhe të krijohet një pasqyrë në opinionin publik se unë jam personi i cili ka faj për krejt ato që kanë ndodhë deri më tani në Kosovë”.

“Në një far mënyre jam sakrifikuar”, vazhdon rrëfimin Daka për AP, duke theksuar se ajo ishte personi i parë që u shkarkua nga përbërja e re e qeverisjes, konkretisht Presidentes.

“Jam sakrifikuar për të tregu se presidenca tash e tutje do të jetë më ndryshe, fatkeqësisht të gjithë, duke filluar nga Bashkimi Evropian, Misioni i Vëzhgimit, më pas nga shoqëria civile e cila qysh në fillim ka reaguar. Pastaj mediet, opinioni publik, të gjithë e kanë thënë atë që sot e vërteton edhe DASH”.

Raporti i Departamentit të Shtetit për Dakën, nuk është raporti i vetëm ndërkombëtar, që tregon se shkarkimi i saj ishte i padrejtë.

“Të gjitha raportet ndërkombëtare, të gjithë njëzëri, kanë thënë se shkarkimi im ka qenë politikisht i motivuar dhe se është bërë shkelje nga ana e zonjës Osmani, pra nuk nevojitet shumë koment kur e keni përpara të gjitha këto raporte”, përfundon Daka.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore