Lajme

Pas polemikave shitja e Forbes te Austin Russell anulohet


Shitja e Forbes Media Group te një konsorcium i drejtuar nga shefi ekzekutiv 28-vjeçar i Luminar Technologies, Austin Russell, është anuluar.

Pati shumë polemika mbi pjesëmarrjen e mundshme në grupin e investimeve të një miliarderi rus të lidhur me Kremlinin, Magomed Musaev.

Marrëveshja dështoi sepse, siç shpjegoi shefi ekzekutiv i Forbes, Mike Federle në një letër drejtuar punonjësve, blerësi nuk ishte në gjendje të përfundonte marrëveshjen.

Sakaq, fondi i investimeve të Russell thekson se ndërprerja e kontratës ishte “në interesin më të mirë të palëve”.

Russell është një nga yjet e botës së teknologjisë, i cili shfaqet përreth si një yll rock-u.

Ai njoftoi planet në maj për të blerë 82 për qind të aksioneve në Forbes Global Media Holdings në një marrëveshje që vlerësonte kompaninë thuajse 800 milionë dollarë.

Vlerësimi ishte mjaft i mbivlerësuar, duke e vendosur publikimin me një çmim më të lartë në përgjithësi sesa Time, Washington Post dhe Fortune së bashku.

Si shembull, themeluesi i Amazon Jeff Bezos mori drejtimin e Washington Post në vitin 2013 dhe kryetari i Salesforce dhe bashkëthemeluesi Marc Benioff bleu Time nga Meredith Corporation për 190 milionë dollarë para në vitin 2018.

​Ndërkohë, për operacionin e Forbes dhe hijet ruse, kishte shumë kritika dhe Komiteti për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngriti antenat e veta.

Po ashtu për shkak se Washington Post kishte raportuar ekzistencën e pesë regjistrimeve audio dhe një video në të cilën Magomed Musaev, pronar i Forbes Rusia, u tha partnerëve të biznesit se kishte blerë Forbes, e përcaktoi Russell si thjesht “fytyrën” e marrëveshjes.

Gjithashtu shpjegoi se ai kishte këmbëngulur që përfshirja e tij të mbahej sekret.

Musaev, president dhe themelues i fondit të investimeve Global Venture Alliance, ngriti shqetësime edhe më intensive për CV-në e tij të lidhur me pushtetin rus.

Sipas tij, ai ka punuar në qeverinë e Moskës, ka lidhje me ndikim në Rusi nëpërmjet vjehrrit të tij Ramzan Abdulatipov, ish-kreu i Republikës së Dagestanit dhe përmes tij Musaev kishte hyrë edhe në rrethin e ngushtë të oligarkut Suleiman Kerimov, i lidhur me presidentin rus Vladimir Putin dhe diktatorin çeçen Kadyrov.

Megjithatë, Musaev e mohon këtë.

Edhe Russell mohoi me vendosmëri se Musaev ose rusë të tjerë ishin pjesë e konsorciumit.

“Nuk ka asnjë dollar të kapitalit që vjen nga qytetarët ose subjektet kineze ose ruse, përfshirë Musaev”.

Kjo nuk mund të konstatohej në mënyrë të pavarur. Por ekzistenca e kasetave me siguri ka hedhur një hije mbi mundësinë konkrete që mund të lindte një paradoks absolut.

Revista që përpilon çdo vit listën e aseteve më të rëndësishme në botë, padyshim që përfshin ato të shumë oligarkëve të lidhur në shkallë të ndryshme me Putin, mund të ishte kontrolluar pjesërisht nga njëri prej tyre.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore