Pas ndërhyrjes së KFOR-it, ICG ndryshon raportin për Banjën

SHFLETO

Manastiri i Banjës, Komuna e Zveçanit

 

Dreni Himbeqa
28.05.2024 18:45
Loading Icons...

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) e ka ndryshuar raportin e 2 prillit të këtij viti i titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara”, i cituar në draft-raportin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku shkruhej se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, kishte negociuar largimin e një pjese të terroristëve të cilët më 24 shtator kishin organizuar një sulm terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Teksti është ndryshuar të martën e 28 majit.

ICG ndërsa ka përmirësuar veten, ka theksuar se gabimisht ishte cekur se KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit terrorist serb nga Banja.

“*Ky tekst u përditësua më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti gabimisht deklaroi se personeli i KFOR-it negocioi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga bllokimi në Banjë”, thuhet në raportin e ICG-së.

Ndryshimi i raportit ka ardhur pasi KFOR-i, të dielën, mohoi pretendimin e ICG-së. Në reagimin e KFOR-it, thuhej se kjo nuk është e vërtetë ngase misioni “në asnjë moment nuk u përfshi në negociatat e supozuara” për arratisje.

A negocioi KFOR-i për tërheqjen e grupit të Radoiçiçit – komiteti i NATO-s konstaton, misioni paqeruajtës e mohon, qeveria hesht