Lajme

Pas muralit, në Serbi shfaqet një mbishkrim kushtuar kriminelit Mlladiç


Mëngjesin e së enjtes në ndërtesën e Qendrës Rinore në Beograd është shfaqur një mbishkrim me fjalët “Ratko Mlladiç, hero serb”.

Për shkak të këtij mbishkrimi, Fondi për të Drejtën Humanitare njoftoi se do të mbahet një protestë e grupeve antifashiste, organizatave joqeveritare, muzikantëve dhe artistëve, raporton Danas.

Një mural i Mlladiçit u shfaq më 23 korrik në komunën e Vraçarit, afër qendrës së qytetit.

“Gjeneral, nëna juaj duhet të falënderohet”, shkruhej në slogan.

Në qershor të këtij viti, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë la në fuqi dënimin e përjetshëm të Ratko Mlladiç për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica dhe persekutimin e boshnjakëve e kroatëve në të gjithë vendin gjatë luftës.

Murali i Mlladiçit

Lindur në 1942, Mlladiç u bë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe të Bosnjës, VRS, në luftën 1992-95 në Bosnjë.

I akuzuar menjëherë pas luftës për krime të ndryshme, ai iu shmang drejtësisë për 16 vite para arrestimit të tij në Serbi në 2011.

Ai mbahet mend kryesisht për një masakër famëkeqe të rreth 8 mijë boshnjakëve pasi forcat e tij pushtuan qytetin e rrethuar të Srebrenicës në 1995, një ngjarje që u bë sinonim i brutalitetit të luftërave ballkanike të viteve 1990.

Ndërkaq deputetja e Parlamentit Evropian Tanja Fajon, pati thënë se Serbia duhet të dënojë glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe se çdo mbrojtje e njerëzve të tillë është e papranueshme në vendet që janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Mbrojtja e muralit është një shembull tjetër se çfarë mendojnë Qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiç për pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal”, kishte thënë Fajon.

Tanja Fajon

“Edhe një herë, autoritetet serbe dhe zyrtarët më të lartë politikë serbë kanë treguar hapur se nuk respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saj, si dhe viktimat e luftërave jugosllave”.

Sipas saj, “është krejtësisht e papranueshme që një vend kandidat për anëtarësim në BE të vendosë policinë e tij për të mbrojtur pikturën murale të një krimineli të dënuar lufte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore