Pas Kurtit, Borrell takon Vuçiç-in

SHFLETO

Aleksander Vucic, Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak

 

Dini Fetahu
26.06.2024 16:36
Loading Icons...

Pas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është duke zhvilluar takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pjesë e këtij takimi, që po mbahet në kryeqendrën evropiane, Bruksel, është edhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.

Pas këtij takimi, pritet që të mbahet edhe takimi trelateral: përfaqësuesit e BE-së, në rolin e ndërmjetësit, me Kurtin e Vuçiç-in.

Ndonëse detaje të hollësishme për agjendën e takimit nuk ka, ajo çfarë është potencuar në përgjithësi është se liderët shtetërorë të vendeve përkatëse do të bisedojnë për Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, e dakordësuar mes palëve më 27 shkurt e 18 mars të vitit të kaluar.

Borrell, në një konferencë për media, para takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se zotimet që palët kanë marrë përsipër nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se kush është në krye të institucioneve të BE-së.

Borrell, i cili është në fund të mandatit si shef i diplomacisë evropiane, theksoi se takimi midis Kurtit dhe Vuçiç-it, do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

“Do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se si dy palët e shohin të ardhmen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Për pak muaj do të ketë njerëz tjerë emra tjerë në vendin tonë, por marrëveshjet, konkluzat dhe pritjet e BE-së s’do të ndryshojnë – shtetet anëtare s’do të ndryshojnë. Zotimet e Kosovës dhe të Serbisë s’do të largohen”, shtoi ndër të tjera kryediplomati evropian.

Për takimin në fjalë, të martën, u deklarua edhe Kurti.

Sipas tij të mërkurën e 26 qershorit në Bruksel do të shihet se në çfarë “gjendje ndodhet procesi i dialogut” dhe “cilat janë idetë për të ecur përpara”.

“Për bindjen time të fuqishme Marrëveshja Bazike me pjesën integrale të aneksit të Ohrit e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku de facto në qendër andaj, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por e cila nuk është realizuar deri më sot”, tha ai në një prononcim të shkurtër për media.

Lidhur me pritshmëritë e tij për takimin, u deklarua edhe Vuçiç.

Ai theksoi se të mërkurën do të ketë një qasje konstruktive dhe se do të mundohet që problemet t’i zgjidh përmes dialogut, duke pretenduar se nuk beson në vullnetin e Kosovës për një gjë të tillë.

Vuçiç, madje, u shpreh i frikësuar nga provokimet eventuale të Kosovës.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiç-it, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.