Kosova

Pas homazheve te ish-presidentit Rugova, Abdixhiku kërkon të ruhet partneriteti me ShBA-në


Lumir Abdixhiku, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Ashtu si çdo vit, paria e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndër të parat gjëra që bën më 26 janar është vizita pran varrit të Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe pranë varrit të tij.

Nga aty, Abdixhiku ka thënë se ka thënë se Rugova jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide. Tha se ish-presidenti mbetët një patriot i papërsëritshëm, teksa tha se obligim i tyre mbetët partneriteti me ShBA-në, BE-në e NATO-n.

“Sot bashkë me anëtarë të LDK-së me struktura të LDK-së kemi ardhur të bëjmë nderime për atin themeltar të Kosovës për presidentin historik të Kosovës. Rugova mbetet një patriot i papërsëritshëm që dha vizionin e së ardhmes së Kosovës, këtë vizion e kemi obligim ta vazhdojmë në partneritet me ShBA në anëtarësim në BE dhe NATO”, u shpreh Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, duke bërë homazhe pranë varrit të Ibrahim Rugovës

Abdixhiku shtoi se Rugova ishte një njeri që ka prirë një popull të tërë nga dita e parë e aktivizimit të tij politik deri më 2006 kur kjo lidhje u shpërfaq me një masë të jashtëzakonshme të njerëzve që i dhanë lamtumirën e fundit.

“Me anëtarë të kryesisë së LDK-së, kemi ardhur për të bërë nderime dhe kujtime për liderin e LDK-së, për atin themeltar të shtetit të Kosovës, për presidentin historik Dr.Ibrahim Rugova. Një njeri që ka shënuar një epokë të tërë, që ka prirë një popull të tërë nga dita e parë e aktivzimit të tij politik deri më 21 janar të vitit 2006 kur kjo lidhje u shpërfaq me një masë të jashtëzakonshme të njerëzve që i dhanë lamtumirën e fundit në shesh dhe në Kuvend në një ditë të ftohtë”.

Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së, me Fana Rugovën, gruan e ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Pas homazheve tek varri, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka shkuar edhe tek familja e presidentit Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes së tij.

Abdixhiku ndër të tjera tha se Rugova mbetet vula identitare e lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

“Vepra e paarritshme e Presidentit Rugova mbetet vula identitare e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai u rreshtua drejt vlerave perëndimore në momentet më të vështira, ndërtoj kohezion brenda e aleanca të pathyeshme jashtë; udhëhoqi nëpër kohë të paqarta, dhe tregoi me bindje rrugën përpara”.

“Trashëgimia e tij politike e atdhetare është orientim dhe projeksion i ndërtimit të një shoqërie ku kultivohen të drejtat fundamentale për një shoqëri moderne. Kjo trashëgimi e tij, vazhdon të jetë udhërrëfyese edhe për gjeneratën e sotme e të ardhme. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të, është udhërrëfim për ne”.

“Ibrahim Rugova, Ati themeltar i shtetit të Kosovës, është figura më e madhe politike e historisë së Kosovës. Identifikimi me të, prandaj, paraqet vlerë; e këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe kultivojmë me përkushtim, me dije dhe me admirimin më të madh”, ka thënë Abdixhiku.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Osmani e Kurti pranë varrit të ish-presidentit Rugova: Ai bashkoi shqiptarët kundër okupatorit serb

Në 16-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit.

Presidentja e vendit, tha se tha se veprimtaria e Rugovës ka qenë e vështirë, kur Kosova ishte nën okupim.

E para e vendit tha se Rugova është arkitekti dhe ideatori i pavarësisë që sot e gëzojmë.

Osmani tha se kujtimi për të do të jetojë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës përjetësisht.

“Sot është 16 vjetori i shkuarjesh në amshim të arkitektit dhe ideatorit të pavarësisë së Kosovës, i cili bëri shumëçka për shtetin tonë saqë është shndërruar në fytyrën e këtij shteti. Ai veproi dhe punoi në një kohë shumë të vështirë për popullin e Kosovë, por në të njëjtën kohë arriti të bëjë bashkë popullin e Kosovës. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë por edhe miqësitë që me shumë mund e përkushtim i ndërtoi presidenti Rugova”, tha presidentja Osmani.

E shefi i Qeverisë, Albin Kurti, ka thënë se ish-presidenti Rugova ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional e humanist që dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër okupatorit serb dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore dhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Doktor Rugova edhe para se të ishte president, ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional e humanist. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër okupatorit serb dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Bashkë me presidenten sot në nderim të Rugovës te varri i tij vendosëm një kurorë me lule të freskëta”, u shpreh Kurti.

 

Faton Peci, Ministër i Pylltarisë dhe Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministri i Pylltarisë dhe Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në cilësinë e përfaqësuesit të “Listës Guxo”, ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Rugova, në përvjetorin e 16 të vdekjes së tij.

Peci ishte i shoqëruar nga deputeti Haxhi Avdyli dhe bashkëpunëtorë tjerë.

Para mediave, ministri Peci tha se kontributi që presidenti Rugova ka dhënë në momentet vendimtare, e bëjnë presidentin Rugova jo vetëm arkitekt të pavarësisë së Kosovës po njërin ndër figurat më të mëdha më të rëndësishme historisë së kombit shqiptar.

“Guximi i presidentit Rugova që në vitin 1989 të jetë në ballë në Lëvizjen gjithë popullore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vizioni i qartë, orientimi i tij pa ekuivokë me qasje pro perëndimore dhe synimet që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran miqësi të përhershme me SHBA-në”.

“Kontributi i tij në pluralizmin politik dhe eliminimin e ndikimin të bllokut sovjetik të shekullit të kaluar qasja dhe kontributi i tij në krijimin e aleancave me shtetet vendimmarrëse në radhë të parë me SHBA dhe me vendet e BE-së. Kontributi që presidenti Rugova ka dhënë në momentet vendimtare me krijimin e unitetit mbar shqiptarë e bëjnë presidentin Ibrahim Rugova jo vetëm arkitekt të pavarësisë së Kosovës po njërin ndër figurat më të mëdha më të rëndësishme historisë së kombit shqiptar”, u shpreh ai.

Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Funerali i Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë në historinë shqiptare. Rugova u varros 5 ditë pas vdekjes, më 26 janar.

Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. U njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 1976-1977, ai studioi nën mbikëqyrjen e Roland Barthes në Paris, ku zhvilloi interesat e tij shkencorë në letërsi me një fokus në teorinë letrare

Ai themeloi LDK-në në vitin 1989 si një lëvizje e gjerë e cila udhëhoqi institucionet “paralele” të Kosovës në vitet 1990, pasi lideri serb Sllobodan Millosheviç kishte shfuqizuar statusin autonom të Kosovës.

Pasi Beogradi vendosi sundimin e drejtpërdrejtë, Rugova u zgjodh jo zyrtarisht si president i Kosovës për dy mandate.

Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në shtëpinë e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi atë dhe familjen e tij në arrest shtëpie.

Pas më shumë se një muaj, Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999.

Ai u zgjodh zyrtarisht president nga parlamenti në vitin 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2005.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore