Sport

Pas Genoa-s, 777 Partners blen edhe Hertha-n


Photo: Boris Streubel/ Getty Images

Që nga nëntori i vitit 2021 klubi më i vjetër italian i futbollit, Genoa është në pronësi të kompanisë amerikane “777 Partners”. Ajo ka gjithashtu nën menaxhimin e vetë disa skuadra në mbarë botën dhe pritet ta zgjerojë portofolin e saj.

“777 Partners” zotëron klubin brazilian të Vasco da Gama, 70 për qind të klubit belg të Standard de Liege, 5 për qind të Sevilla-s në Spanjë, Red Star të Parisit dhe Melburne Victory në Australi.

Tashmë synimet e tyre janë shtrirë edhe drejt Bundesliga-s gjermane. Kompania amerikane ka blerë 64.7 për qind të aksioneve të klubit nga kryeqyteti, Hertha Berlin.

Kompania me bazë në Miami njoftoi në një deklaratë zyrtare se “ka rënë dakord me Tennor Holdings për të blerë 64.7% të aksioneve të saj në Hertha BSC”.

Tashmë pritet miratimi nga bordi i Hertha-s dhe Federata Gjermane e Futbollit për atë që do të jetë aksioni më i madh i blerë nga një kompani e huaj në Bundesliga.

Kompania amerikane merret me investime private dhe u themelua nga dy manjatët Steven Pasko dhe Josh Wander. Me marrjen e aksioneve te Hertha, ajo zgjeron galaktikën “777 Football Group”, kompania e krijuar posaçërisht për të investuar në botën e futbollit, e cila po ndjek hapat e grupeve të tjera si “City Football Group” apo “Red Bull”.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore