Shqipëria

Pas dy vitesh hiqet ora policore në Shqipëri


Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri në një konferencë, të mërkurën e 2 marsit, ka njoftuar masat e reja anti-COVID, ku bëri me dije se është vendosur të hiqet ora policore.

Lajmi u njoftua nga zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, e cila njoftoi se kjo masë do të hyjë në fuqi të enjten e 3 marsit.

Kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve kishte dy vite në fuqi – që prej shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri më 9 mars 2020 – dhe u vendos për parandaluar përhapjen në masë dhe për të ulur rrezikun e infektimit.

Ndërsa sa i përket situatës epidemiologjike në vend, rastet e reja kanë pësuar rënie dhe bëri thirrje për vaksinimin që nga mosha 12 vjeç e lart.

“Vaksinimi është e këshillueshme të fillojë që nga mosha 12 vjeç për të gjithë fëmijët, jo vetëm për ata me sëmundje bashkëshoqëruese”, vijoi Rakacolli.

Ndërkaq ajo theksoi se masat e tjera, si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, dhe pesë ditë karantim për të infektuarit me COVID-19 do të vijojnë të mbesin në fuqi.

Në fuqi mbetet masa me 50% të kapacitetit të ambienteve ku zhvillohen grumbullime apo festa.

Sa u përket udhëtarëve nga jashtë Shqipërisë që hyjnë në vendin tonë duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit apo testin PCR.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, bëri me dije se javët e fundit kanë shënuar incidencën më të ulët.

“Java e fundit ka shënuar incidecën më të ulët, krahasuar me javën e pikut në janar. Referuar të dhënave statistikore të vitit 2021, kemi indikatorët matës shumë më të ulët krahasuar me të njëjtat periudha. Sa i përket incidencës dyjavore, e kemi në nivelin e 97.6%. Indikatorëve matës i bashkohet edhe grupmosha që ka tendencë në rënie në të gjitha moshat, por ka një tendencë të luhatur te të miturit”, theksoi ajo.

Ekspertët, nga ana tjetër, theksuan se të gjithë të shtruarit në spital janë persona të pavaksinuar, prandaj bënë sërish thirrje për t’u vaksinuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore