Partia katalanase propozon që Qeveria e Spanjës ta njoh Kosovën si shtet sovran

SHFLETO

Ilustrim

 

Dreni Himbeqa
05.06.2024 17:07
Loading Icons...

Partia katalanase “Junts per Catalunya” ka propozuar që Qeveria e Spanjës ta njoh Kosovën si shtet sovran.

Nëpërmjet një letre dërguar Kuvendit të Spanjës, partia katalanase e krijuar në korrik të vitit 2020 nga ish-presidenti katalanas, Carles Puigdemont, ka kërkuar që ligjvënësit spanjoll të diskutojnë mbi propozimin e tyre për njohjen e Kosovës.

Refuzimi i Spanjës, sipas partisë në fjalë, për ta njohur “një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Është e papranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, shpjegon kjo parti në letrën e dërguar Kuvendit të Spanjës, të cilën e ka siguruar Albanian Post.

Propozimi i “Junts per Catalunya”

 

Spanja, sipas tyre ka marrëdhënie indirekte me Kosovën, meqë ka pranuar pasaportat e shtetit të Kosovës pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

“Nga janari i vitit 2024, shteti spanjoll është i detyruar të njohë pasaportat e Kosovës. Bashkimi Evropian ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën që përfshin marrëdhënie të të gjitha llojeve me shtetet anëtare, duke u përkushtuar, ndër të tjera, për zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

Në vlerësimin e kësaj partia pesë shtetet anëtare mos-njohëse të BE-ës duhet ta njohin Kosovën që ta lejojnë atë të përparojë në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme.

“Për këtë arsye, por edhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të njohë menjëherë Republikën e Kosovës”.