Kosova

Partia e ekstremit të majtë në RMV: Mickoski ta dënojë sjelljen “skandaloze” të Osmanit në takimin me Kurtin


Kryetari i Levices, Dimitar Apasiev

Partia e majtë ekstreme në Maqedoninë e Veriut “Levica”, përmes një njoftimi për media kanë kërkuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski që gjatë takimit me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurtin, t’i mbrojë institucionet e RMV-së pas incidentit të fundit në Aeroportin e Shkupit, ku është përfshirë presidentja kosovare, Vjosa Osmani.

“Presim që në takimin e paralajmëruar Mickoski – Kurti, kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të qëndrojë në mbrojtje të institucioneve maqedonase dhe të dënojë qartë sjellje të tilla skandaloze të Presidentes së Kosovës. Është skandaloze që MPB ka vetëm një deklaratë dhe ende nuk ka asnjë përgjegjësi për sigurimin e Afrim Gashit, i cili është dashur të sanksionohet menjëherë”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu potencohet se incidenti që ndodhi me presidenten kosovare pasqyron mospërfilljen sistematike të institucioneve dhe ligjeve, fillimisht nga vetë kryeparlamentari i RMV-së, Afrim Gashi, i cili nuk ka kompetencë të reagojë në këtë rast.

“Reagimi i sigurimit të tij, jashtë kompetencave të tij, de facto ka penguar funksionimin normal të procedurave të sigurisë. Edhe pse është e qartë se bëhet fjalë për një tejkalim skandaloz të kompetencave ku institucionet maqedonase minohen për të mbrojtur një zyrtar nga një shtet tjetër”.

Vizita e Kurtit në RMV realizohet në kohën e tensioneve diplomatike midis dy shteteve, përkatësisht pas incidentit të fundit në Aeroportin e Shkupit, ku është përfshirë presidentja kosovare, Vjosa Osmani, incident që autoritetet e cilësuan “sulm” ndaj Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut. E opozita shqiptare atje ka fajësuar koalicionin qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE për skandalin.

Në qeveri bën pjesë edhe koalicioni i partive shqiptare “VLEN” që u mbështet nga kryeministri i Kosovës kundër Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore