Shqipëria

“Parlamenti të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e vetting-ut”


“Parlamenti duhet të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e vettingut”.

Kështu u shpreh ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, pas një takimi me ambasadorin e OSBE/ODHIR, Vincenzo Del Monaco.

Kim bëri me dije se diskutoi një sërë çështjesh me Ambasadorin. Ajo tha se palët duhet të veprojnë sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR për zgjedhjet.

Zgjatja e mandatit të vetting-ut

Ishte data 15 tetor, kur Partia Socialiste depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Kjo erdhi pasi afatet e komisioneve të vetting-ut përfundojnë pesë vite nga momenti i funksionimit.

PS-ja kërkon që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Që këto ndryshime të realizohen, kërkohen edhe votat e Partisë Demokratike.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një komunikim me mediat është shprehur se kjo është një vijueshmëri e Reformës në Drejtësi.

“Vijimi i procesit të vetting-ut, me të njëjtin standard që është vijuar deri më tani, është domosdoshmëri”, tha Balla.

Sipas tij, partitë politike duhet të qëndrojnë larg, sepse themeli i Reformës në Drejtësi ka qenë pikërisht heqja e çdo lloj ndikimi politik.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të ketë shkëmbim votash apo pazare me PD-në, për sa i përket Reformës në Drejtësi.

Më herët, Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë, në fjalimin e tij ka bërë me dije se do të kërkojë zgjatjen e mandatit për dy organet e vetting-ut.

“Që të miratohet kjo”, tha Manja, “duhet dhe kompromisi me opozitën”.

Sipas tij, ky është mandat kushtetues dhe zgjatja e mandatit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë.

“Nuk i kemi votat e nevojshme për të zgjatur mandatin, por do të kërkojmë konsensusin e opozitës. Për ne, mbarimi i procesit të vetting-ut është garanci”, finalizoi Manja deklaratën e tij.

Opozita është shprehur se do të presë për të parë draftin dhe më pas do të shprehet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore