Lajme

Parlamenti kanadez akuzon Kinën për gjenocid ndaj ujgurëve


Parlamentarët kanadezë kanë aprovuar me shumicë dërrmuese një amendament, i cili akuzon Kinën se ka kryer gjenocid, kundër pakicave të saj myslimane, në rajonin perëndimor të Xinjiang-ut. Aprovimi i mocionit tensionon më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.

Edhe pse Kryeministri liberal i Kanadasë, Justin Trudeau, dhe kabineti i tij abstenuan në votimin e 22 shkurtit. Shumë liberalë të tjerë votuan duke mbështetur mocionin. Ky mocion u propozua nga partia opozitare konservatore.

Amendamenti thotë se “në Republikën Popullore të Kinës po kryhet aktualisht një gjenocid kundër ujgurëve dhe myslimanëve të tjerë turk”. Po ashtu i bëhet thirrje thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të zhvendosë Lojërat Olimpike Dimërore 2022 nga Pekini.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vlerësojnë se rreth 2 milionë ujgurë mbahen nga qeveria kineze, në qendrat e paraburgimit masiv, në Xinjiang. Personat që janë mbajtur në këto kampe i janë nënshtruar indoktrinimit, abuzimit fizik, madje edhe sterilizimit të detyruar.

Me shumë gjasa mocioni do t`i ushtrojë presion qeverisë së Trudeau-së, për të përshkallëzuar qëndrimin e qeverisë kanadeze ndaj Kinës.

Tensionet diplomatike janë rritur gjatë viteve të fundit. Tensionet u shtuan pas arrestimit të Drejtuesit Kryesor Financiar të Huawei-t. Sjellim në vëmendje se edhe dy shtetas kanadezë  janë nga qeveria kineze pasi akuzohen për spiunazh.

Votimi parlamentar e bën Kanadanë vendin e parë që shkon drejt zyrtarizimit të thirrjes së shteteve për zhvendosjen e Lojërave Olimpike Dimërore 2022 nga Pekini.

Thirrje ndërkombëtare për fillimin e hetimeve

Kalimi i mocionit në parlamentin kanadez vjen një muaj pas deklaratës së ish-sekretarit amerikan të SHBA-së, Mike Pompeo.

Pompeo akuzoi zyrtarisht Kinën se po kryen gjenocid dhe krime kundër njerëzimit ndaj myslimanëve ujgurë, minoriteteve etnike dhe fetare që jetojnë në rajonin veriperëndimor të Xinjiang-ut

Qeveria kineze i ka mohuar vazhdimisht akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut kundër pakicave myslimane në Xinjiang. Në një konferencë shtypi më 22 shkurt, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze, Wang Wenbin-i, u kërkoi vendeve të huaja të “mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës me pretekstin e çështjeve të Xinjiang ose të të drejtave të njeriut”.

Në një deklaratë, pas votimit të 22 shkurtit, Ministri i Jashtëm Kanadez, tha se qeveria kanadeze beson se akuzat kundër Kinës duhet të hetohen nga ekspertët ndërkombëtarë.

Deklarata e Ministrit të Jashtëm Kanadez, vjen në të njëjtën ditë kur Sekretari i Jashtëm Britanik, Dominic Raab, i bëri thirrje Kinës që t’i mundësonte Organizatës së  Kombeve Bashkuara (OKB) një  hyrje “urgjente dhe të pakufizuar” në Xinjiang. Kjo hyrje do të lejonte OKB-në të hetonte në mënyrë të pavarur akuzat.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore