
Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE) ka votuar me 66 vota pro, katër kundër dhe tre abstenime raportin e eurodeputetes Isabel Santos, mbi vlerësimin e Komisionit Europian (KE) për progresin e Shqipërisë në integrimin evropian gjatë vitit 2021.
Në raport, eurodeputetët përgëzojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë drejt rrugës evropiane, si dhe mbështesin transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.
Sipas eurodeputetëve që kanë votuar pro raportit të Santos, dështimi i hapjes së negociatave deri tani ka qenë “i padrejtë”.

Ky dështim, sipas tyre, minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së.
Duke përgëzuar vazhdimësinë e Shqipërisë, si një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj politikës së jashtme në përputhje me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, nëpërmjet raportit, Santos i bëri thirrje BE-së për të “vlerësuar në mënyrë kritike implikimet historike të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës”.
Ndër të tjera, në raport, ndaj shteteve anëtare kërkohet që të demonstrojnë unitetin evropian.
Kjo, duke nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe duke marrë parasysh, si implikimet gjeopolitike të vendimit, ashtu edhe përmbushjen e kritereve zyrtare nga të dy vendet.
Në raport ripërsëritet fakti se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reformat e qëndrueshme dhe të pakthyeshme në fushat themelore të politikave.
Nga ana tjetër, eurodeputetët i kanë kërkuar Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të përforcuar funksionimin e gjyqësorit, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë.
Vendi gjithashtu duhet të fuqizojë shoqërinë civile, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.
Të gjitha kompromiset politike janë aprovuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
/Albanianpost.com-
Rama takohet në Ankara me Erdoganin, në fokus energjia dhe ushqimi
-
Fondi Arab i Zhvillim i jep kredi Shqipërisë për përfundimin e rrugës Qukës-Qaf Plloçë
-
Shumë sport në platformën Artmotion, sezoni i ri në ligat më të forta të botës sjell shumë ekskluzivitete
-
Caktohet masa për tre skafistët që u kapën me 1 ton drogë