Lajme

Parlamenti Evropian: Të hapen arkivat e ish-Jugosllavisë


Me 60 vota pro, eurodeputetët e Parlamentit Evropian miratuan raportin e Lukas Mandl – eurodeputeti austro-holandez – përfshirë hapjen e arkivave të ish-Jugosllavisë.

Përmes deklaratës zyrtare të publikuar, eurodeputetët “dënojnë mungesën e dukshme të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon për të hapur arkivat e ish-Jugosllavisë dhe që dosjet t’u kthehen qeverive nëse ato duan”.

Komisioni i Punëve të Jashtme u mblodh të martën e 26 tetorit.

Në raportin “WB: Krimi i organizuar një pengesë e madhe për zhvillimin e rajonit” u vu theksi te ndihmesa që duhet të japë Bashkimi Evropian për luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor (WB).

Një nga tri pikat e tjera për shtetet e WB-së, është dhe liberalizimi i menjëhershëm i vizave mes BE-së dhe Kosovës.

Pjesë e raportit është edhe nevoja për të çrrënjosur lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar.

“Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës dhe bizneseve ekzistonin para shpërbërjes së Jugosllavisë”, shkruhet në raport, “dhe kanë vazhduar që nga fundi i konflikteve të viteve ’90”.

Më tej, në parashtesën me shkrim, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve të “inteligjencës” mes shteteve të WB-së dhe BE-së, apo partnerëve ndërkombëtarë duke përfshirë: Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe organizata të tilla si NATO.

Sundimi i ligjit dhe elitat politike

Gjatë raportit, eurodeputetët u kërkuan qeverive në rajon të rrisin ndjeshëm përpjekjet e tyre për të ecur përpara me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“BE-ja duhet”, sipas tyre, “t’i mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik”.

Në raport ravijëzohet fakti që vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për pastrimin e parave dhe trafikimin të armëve të zjarrit.

Në parashtesën me shkrim, renditen edhe faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të prekshme, të cilat janë, “mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina”.

Një çështje tjetër, e shqyrtuar në raport, është edhe mungesa e vullnetit nga ana e secilit shtet për të luftuar krimin e organizuar.

Lukas Mandl dhe deklaratat e tij

Liberalizimi i vizave është i vonuar dhe duhet të ndiqet tani”, deklaronte gjatë muajit prill eurodeputeti Lukas Mandl.

Mandl, i cili ishte shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë, mbështeste në pesëvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.

“Pesë vjet më parë hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. Si marrëdhënia e parë kontraktuale midis BE dhe Republikës së Kosovës, ky ishte një moment historik i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE”, shkruante ai në Twitter.

një intervistë për albinfo.ch, Mandl shprehej pas njohjes së Kosovës nga Izraeli, se ishte një befasi e gëzueshme.

“Në fakt Kosovën duhet ta njohin më në fund si shtet të pavarur edhe pesë shtetet anëtare të BE-së. Nuk e kisha menduar asnjëherë që Izraeli do ta njihte Kosovën para këtyre shteteve. Për mua, ky është një gëzim i veçantë, sepse me Izraelin dhe izraelitët kam gjithashtu lidhje të ngushta”, theksonte eurodeputeti.

Sipas tij, Izraeli u bë shembull për pesë shtetet e tjera anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e njohin shtetin e Kosovës.

“Vendimi i Izraelit është një vlerësim i madh për Kosovën dhe njëkohësisht ai ndikon për të shtuar presionin mbi këto pesë shtete anëtare të BE-së që të marrin një vendim sa më të shpejtë”, deklaronte në përmbyllje eurodeputeti Mandl.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore