Parlamenti Evropian: Rusia po shfrytëzon situatën në veri të Kosovës për të ndërhyrë në Ballkanin Perëndimor

SHFLETO

Parlamenti Evropian

 

Armat Matoshi
26.04.2023 17:33
Loading Icons...

Komisioni i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja i Parlamentit Evropian, konsideroi se Rusia po shfrytëzon ndikimin e saj në Serbi në përpjekje për të ndërhyrë në shtetet fqinje dhe të ndikojë negativisht në orientimin euroatlantik të rajonit – në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi.

Në raportin e mbështetur nga 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrjet e Huaja, thuhet se përpjekjet e Rusisë për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, duhet parë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar idenë e autoritarizmit të Evropë, transmeton “Zëri i Amerikës”.

Ndërhyrja e Rusisë në rajon, sipas raportit ushtrohet “në Bosnje nëpërmjet Republikës Serbe [entiteti serb në BeH], në Mal të Zi duke shfrytëzuar ndjenjat pro serbe si dhe Kishën Ortodokse serbe dhe në Kosovë duke shfrytëzuar dhe nxitur mosmarrëveshjet ekzistuese në veriun e Kosovës”.

Në raport thuhet se mesazhi pro-rus përhapet përmes mediave në pronësi serbe dhe hungareze në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehet shqetësimi me “gjetjet e fundit se Serbia është vendi më i cenueshëm ndaj ndikimit të huaj negativ në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht nga Rusia dhe Kina”.

Serbia, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është bërë një strehë e sigurt për disa kompani ruse që kërkojnë të shmangin sanksionet e vendosura nga BE-ja, thuhet në raport në cilin theksohet se që nga korriku i vitit 2022 zyrat e RT (ish Russia Today) janë hapur në Beograd.

Ndryshe, vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë është Serbia. Ndonëse synon integrimin në BE, ajo ruan lidhje të ngushta me Rusinë, në radhë të parë për shkak mbështetjes së Kremlinit për refuzimin e Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.

Komisioni i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja në të gjitha proceset demokratike në BE, përfshirë dezinformimin u krijua në vitin 2020 për të vlerësuar nivelin e kërcënimeve në sfera të ndryshme duke përfshirë zgjedhjet, fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale, sulmet kibernetike dhe financimin.