Rajoni

Parlamenti Evropian “i tmerruar” nga sulmet e politikanëve ndaj gazetarëve në Serbi


Salla e Parlamentit Evropian

Një numër i madh i euro-deputetësh janë bërë bashkë dhe kanë vendosur t’i shtojnë disa amendamente të reja në raportin për Serbinë në Parlamentin Evropian.

Amendamentet e shtuara nga deputetët e Socialdemokratëve, Liberalëve dhe Të gjelbërve dhe disa deputetë të grupeve të tjera parlamentare, përbëhen nga kritikat për sulmet e fundit që i janë bërë Rrjetit të Gazetarëve që raportojnë Krimin dhe Korrupsionin në Serbi – KRIK.

Gjithashtu, sulme nga deputetët të partisë që udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiç, i janë bërë organizatës CRTA, që është e përbërë nga një grup i aktivistëve dhe gazetarëve që raportojnë për krimin dhe korrupsionin nga politikanët dhe institucionet shtetërore.

Raporti i Parlamentit Evropian për Serbinë do të votohet javën e ardhshme dhe amendamentet e shtuara pritet ta afektojnë shumë negativisht raportin.

Në raport thuhet se “Parlamenti Evropian është i tmerruar nga sulmet e fundit të orkestruara nga disa deputetë dhe tabloide pro-qeveritare kundër gazetarëve hulumtues dhe anëtarë të shoqërisë civile”.

Duke e ditur këtë, Aleksandër Vuçiç “ka lutur” deputetët e tij që të kenë kujdes me gjuhën dhe shprehjet në raport me gazetarët.

Ai madje u ka kërkuar falje atyre dhe ka thënë që do t’i mbrojë personalisht, por në Serbi nuk është se u besojnë shumë këtyre fjalëve të Vuçiç.

“Presidenti serb thotë se do t’i ndihmojë gazetarët por, nuk tregon si do ta bëjë këtë”, thotë Jelena Obućina nga Newsmax Adria.

“Asnjë deputet nuk do ta akuzonte askënd pa marrë leje nga Vuçiç vetë, prandaj nuk shohë ndonjë kërkim falje reale nga ai”, thotë ajo.

“Ne kemi dëgjuar edhe më parë kërkim falje të tilla dhe sulmet kanë vazhduar. Kjo është hera e dytë që po e bën”.

Letra e grupit të mediave në Parlamentin Evropian

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore