Vende

Parku Arkeologjik i Angkorës – me rrjetin më të veçantë hidraulik


Në kryeqytetin e Perandorisë Kmere – ndër perandoritë më të fuqishme të Azisë Juglindore me bazë Kamboxhian e sotme – Angkor, “fshihet” një rrjet i lashtë i furnizimit me ujë të qytetit, që nga viti 802 pas Krishtit.

Sipas vendasve, ekziston një mit, se uji mbart fuqi të veçanta, duke shëruar sëmundje, por edhe se sjell fat.

Gjatë festave fetare, kamboxhianët dynden t’u bekuar nga të njëjtat ujëra.

Një prej studiueseve në Departamentin e Gjeoshkenave në Universitetin e Sydney-t, e ka përshkruar Angkor-ën si “një vend shumë të veçantë, që mbart pjesë të rëndësishme të historisë sonë”.

Në vitet 1950 dhe 1960, arkeologu francez Bernard Philippe Groslier përdori një prej teknikave më të veçanta për të rindërtuar strukturën e qyteteve antike në Angkor.

Në vitin 2012, shtrirja e vërtetë e sistemit hidraulik, i cili përfshin 1 mijë km katrorë, u zbulua përmes teknologjisë së skanimit me laser në ajër (LiDAR), të udhëhequr nga arkeologu Damian Evans.

“Pjesët e munguara të enigmës u zbuluan. Ne jemi duke punuar për hartën përfundimtare të Angkor-ës, duke përfshirë edhe sistemin hidraulik. Uji ishte një nga sekretet e suksesit të perandorisë”, tha Evans.

Për të krijuar një qytet të përmasave të tilla, çelësi i ndërtimit ishin pa dyshim kanalet e krijuara nga njeriu, të gdhendura për të drejtuar ujin nga Phnom Kulen në fushat e Angkor-ës.

Ato u përdorën për të transportuar rreth 10 milionë tulla me peshë deri në 1 mijë e 500 kg secila.

Gjithashtu siguruan furnizim me ujë gjatë gjithë vitit, duke mundësuar kështu zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Rrjeti i veçantë hidraulik

Sistemi i lashtë hidraulik i këtij qyteti është një nga veçantitë që e diferencojnë. Mënyra si u ndërtua rrjeti hidraulik ka bërë që qyteti të mbijetojë deri në ditët e sotme.

Vetëm toka ranore nuk mjafton për të përballuar peshën e gurëve.

Megjithatë, inxhinierët zbuluan se përzierja e rërës dhe ujit krijon themele të qëndrueshme.

Kështu që hendeqet që rrethojnë çdo tempull u projektuan për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm me ujëra nëntokësore.

Kjo ka krijuar themele mjaft të forta për t’i mbajtur tempujt të qëndrueshëm dhe për të parandaluar shkatërrimin e tyre gjatë gjithë këtyre shekujve.

Gjatë gjithë historisë së perandorisë, mbretërit zgjeruan, restauruan dhe përmirësuan rrjetin kompleks të ujit, me kanale, diga dhe rezervuarë.

Megjithatë, ndërsa ishte uji që kontribuoi në ngritjen e Perandorisë së Angkor-ës, ishte gjithashtu uji që kontribuoi në shkatërrimin e saj.

“I gjithë qyteti u godit nga ndryshimet e motit. Shkalla e rrjetit dhe ndërvarësia e tij nënkuptonin shqetësimin masiv të thatësirave. Njerëzit ndryshuan sistemin për t’u përballur me vështirësitë. Kjo e fragmentoi të gjithë rrjetin, duke e bërë atë të papërdorshëm”, u shpreh Penny.

Sipas hulumtimeve, nga ndryshimet klimatike, të cilat ndikuan në prishjen e sistemit hidraulik, sollën zhvendosjen e kryeqytetit më në jug të Azisë.

Edhe pse Angkor u shkatërrua, me kalimin e kohës u rikuperua. Kështu dolën në pah monumentet e lashta, të cilat ishin të mbuluara nga xhungla nga pjesa tjetër e botës deri në vitin 1860.

Ishte eksploruesi francez, Henri Mouhot, që i “rizbuloi”, duke u kthyer në një pikë turistike për të mos u humbur.

Në dy dekadat e fundit, Kamboxhia ka parë një rritje të madhe të turistëve që dynden në Parkun Arkeologjik të Angkor-ës, ku mund të qëndrojnë nën hijet e tempujve.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore