Jetesë & Stil

Paris Hilton e fal Sarah Silverman për shakanë e 2007-tës


Më në fund u rregullua marrëdhënia mes Paris Hilton dhe Sarah Silverman.

E famshmja, Paris Hilton, ka pranuar një kërkim falje nga komedianja amerikane, Sarah Silverman për shakanë e bërë në vitin 2007, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, MTV Movie Awards.

Silverman, bëri shaka me Hilton, e cila në atë kohë, ishte gati të niste vuajtjen e një dënimi me burg prej 45 ditësh, pas thyerjes së rregullave të trafikut në lidhje me alkool.

Hilton dhe motra e saj, Nicky, e kujtuan shakanë e Silverman në një nga edicionet e fundit të “This is Paris” në iHeartRadio.

Mes të tjerash, Paris tha se ajo që bëri Sarah ishte “aq e neveritshme, aq mizore dhe e ligë”.

“Ta poshtërosh dikë publikisht, është shumë veprim i ligë. Unë isha e ulur aty dhe në ato momente nuk doja asgjë më tepër sesa të vdisja” tha Hilton.

Ndërsa, në episodin e së enjtes të “The Sarah Silverman Podcast”, aktorja e humorit shpjegoi se si ajo kishte dërguar një letër kërkim faljeje gjatë asaj kohe, por që krejt vonë e kuptoi se ajo letër nuk arriti kurrë në duart e Hilton.

“Ja tek jemi këtu, pas 14 vitesh, dua ti kërkoj falje publike Paris, dhe t’i them se më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. Unë as që mund ta imagjinoj se si po ndihej ajo në ato momente” tha Sarah.

Hilton e ndoqi deklaratën e saj dhe tha se e pranoi faljen, gjë që ajo e di se nuk ishte e lehtë për tu bërë.

“Ajo ishte aq e mirëfilltë dhe aq e ëmbël dhe kjo më tërhoqi vërtetë. Më kapluan emocione duke e dëgjuar” përfundon, Hilton.

Ndiçni “shakanë” e bërë nga Sarah Silverman, në vitin 2007 gjatë ndarjes së një çmimi në MTV Movie Awards.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore