Lajme

Parashikimi i kërkesës globale për naftë arrin “nivelet rekord”


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) po rishikon parashikimin e saj për rritjen e kërkesës globale për naftë në vitin 2023, pasi kërkesa po “shkallëzon nivelet rekord”, tha ajo të premten.

“Për vitin 2023 në tërësi, kërkesa globale për naftë është vendosur të rritet me 2,2 milionë fuçi në ditë në 102,2 milionë fuçi në ditë”, tha IEA-ja, me Kinën që përbën 70 për qind të rritjes.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Sipas IEA-s, kërkesa globale për naftë është në nivele rekord, e nxitur nga udhëtimi ajror gjatë verës, rritja e përdorimit të naftës (karburantit) në prodhimin e energjisë dhe rritja e aktivitetit petrokimikut kinez.

“Ky është niveli i tij më i lartë vjetor i regjistruar ndonjëherë”, sipas IEA-s e cila tashmë parashikoi në shkurt një rekord për vitin aktual, prej 101.9 milionë fuçi në ditë, pas 99.9 mb/d në vitin 2022 dhe 97.6 mb/d në 2021.

Kjo etje për naftë vjen në një kontekst tensionesh në tregje, ndërkohë që “furnizimi global i naftës ra me 910 mijë fuçi në ditë për të arritur në 100.9 mb/d në korrik.

“Një shkurtim i mprehtë i prodhimit saudit në korrik bëri që prodhimi në bllokun OPEC+ të bjerë me 1.2 mb/d në 50.7 mb/d, ndërsa vëllimet jo-OPEC+ u rritën me 310 mijë fuçi në ditë në 50.2 mb/d”, detajon agjencia.

Ndërsa botës i kërkohet të zvogëlojë konsumin e saj të lëndëve djegëse fosile, të dëmshme për klimën, në mënyrë që të kufizojë ngrohjen globale në +1.5°c në krahasim me epokën para-industriale, IEA pret që për vitin 2024 një ngadalësim në rritjen e kërkesës për naftë.

“Me rimëkëmbjen pas pandemisë që ka ecur në masë të madhe dhe tranzicionin e energjisë po përshpejtohet, rritja do të ngadalësohet në 1 mb/d në vitin 2024”, parashikon agjencia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore