Euro 2024

Paraqitja ndaj Kroacisë, Gjasula vendos 3 rekorde në Euro


Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Klaus Gjasula pati një mbrëmje të veçantë të mërkurën gjatë duelit me Kroacinë. Mesfushori realizoi autogol dhe më pas gol, për të vulosur barazimin 2-2.

Me paraqitjen kundër rivalëve ballkanik, Gjasula ka marrë pjesë në tre rekorde të ndryshme.

Goli i Gjasulës, në 94 minuta e 23 sekonda, për ta bërë rezultatin 2-2, është goli më i vonë i realizuar në historinë e Kampionatit Evropian që barazon një ndeshje (duke përjashtuar kohën shtesë).

Gjithashtu, Gjasula bëhet vetëm lojtari i dytë në histori që realizon autogol dhe gol brenda një ndeshjeje në Euro. I pari që bënte diçka të tillë ishte legjenda e Çekosllovakisë dhe një nga mbrojtësit më të mirë të viteve ’70, Anton Ondrus, në Euro 1974.

Por, futbollisti kuqezi, është bërë lojtari i parë në Euro që realizon autogol dhe gol, pasi u përfshi në lojë si zëvendësues.

Gjasula u përfshi në lojë në minutën e 73 kur zëvendësoi autorin e golit të parë të Shqipërisë, Qazim Laçin. Vetëm tre minuta më vonë ai ishte i pafat teksa topi iu përplasë në këmbë dhe përfundoi në portën e Thomas Strakoshës.

Megjithatë, mesfushori arriti të realizonte një gol të vonë, në minutën e 95 për të barazuar takimin në 2-2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore