Shqipëria

Parandalimi i aksidenteve rrugore, policia arreston 41 drejtues


41 drejtues mjetesh janë arrestuar, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe pa lejedrejtimi gjatë javës që lamë pas.

Drejtoria e Policisë Rrugore njoftoi sot se, fluksi shumë i lartë i automjeteve drejt zonave bregdetare, turistike dhe qendrave të mëdha të banimit, ka bërë që Policia Rrugore të shtojë masat me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Nga monitorimet intensive 24/7, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe teleskopë në të gjitha akset rrugore, gjatë javës që lamë pas janë pezulluar 154 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 24 231 masa administrative, nga këto 6701 për shpejtësi tej normave të lejuara; 1014 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 1306 për mospërdorim të rripit të sigurimit; 2357 për parakalime të gabuara; 267 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 117 për manovra të rrezikshme në rrugë; 201 për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit; 10034 për parkim të gabuar dhe 2234 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Më tej, gjatë javës që kaloi, janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e konstatuara.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, për përdorim të rrugëve alternative, që t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në qendrat urbane dhe në akset nacionale.

Gjithashtu, Policia apelon për drejtuesit e kamionëve që të zbatojnë me rigorozitet kufizimet e lëvizjes gjatë fundjavës dhe festave zyrtare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore