Kosova

Paralelja që nxjerr absurdin: Qeveria serbëve në Veri ua paguan rrymën, derisa vendimin e Kushtetueses për Manastirin nuk e respekton


Manastiri i Decanit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi me 2016 që 24 hektarë tokë dhe pyje përreth manastirit të Deçanit, nuk u takojnë ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, por vetë Manastirit.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme ta zbatojë vendimin, përkundër presionit të madh të shteteve të QUINT-it (SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe).

Për gazetarin Dukagjin Gorani, mos-zbatimi i këtij vendimi aspak popullor nga Qeveria, nuk është shumë befasues, meqë e gjithë shoqëria kosovare funksionon me këtë standard – “për shoqërinë tonë, shpesh drejtësi është ajo që na konvenon”.

Gorani, duke folur në emisionin Pressing në Televizionin 7, tërhoqi një paralele me situatën në Veri të Kosovës dhe rrymën që shteti ua paguan qytetarëve serbë atje, duke provuar ta nxjerr absurd argumentin se vendimi i kushtetueses nuk zbatohet pasi “është i padrejtë”.

“Vendimet dinë të bien ndesh me trashëgimin politike e historinë. Neve po na vëzhgojnë t’i përbijmë dhe t’i zbatojmë vendimet që i ka sjellë sistemi jonë i drejtësisë. Ne mund të merremi vesh që bota përtej nesh nuk na intereson. Por, sa e njoh unë këtë shoqëri, menjëherë pas deklarimeve se ne nuk e marrim parasysh çfarë thotë bota, pyesim ‘kur do na i heqin vizat?’”, deklaroi Gorani.

“Ne na është shndërruar në normë kjo: këtu themi se nuk e respektojmë vendimin, atje shkojmë e paguajmë rrymën në veri. Ne e gjejmë arsyetimin pastaj, ‘po kjo ka qenë tash e sa vite’. Neve nuk na pengon që diku e arsyetojmë vetën, diku, nëse nuk na konservojnë disa vendime, i marrim si të palogjikshme dhe absurde. Dhe ideja e drejtësisë si veprim që ty duhet të konevojë, është ide para shtetërore dhe para demokratike”.

Dukagjin Gorani

Prandaj, sipas Goranit, “këto diskutime që po mbahen vetëm se e vështirësojnë kyçjen tonë në botën bashkëkohore dhe në anën tjetër veçse e komplikojnë një çështje ligjore, në çështje të një përplasje të thellë politike”.

Presioni ndaj qeverisë për zbatimin e vendimit është shtuar sidomos ditëve të fundit.

Më 20 maj, shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

Edhe Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, në një deklarim të shkurtër për Albanian Post, deklaroi se “është e qartë, Kosova duhet ta implementojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Një pjesë e spektrit politik në Kosovë është pajtuar që, përkundër se vendimi mund të jetë i padrejtë, ai duhet zbatuar.

Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i pyetur për këtë çështje nga Albanian Post, pati deklaruar se “nëse nuk e zbatojmë vendimin e gjykatës tonë kushtetuese realisht dëmtojmë ekzistencën tonë si shtet”.

Për më tepër, Haradinaj thotë që “nëse ne nuk e respektojmë gjykatën tonë kushtetuese krijohet një precedent që nuk jemi shtet ligjor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore