Kosova

Paralajmërimi i Macron për rishikimin e vendimit për vizat nuk i drejtohet konkretisht Serbisë, thotë ministri francez   


Olivier Becht

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, javë më parë potencoi se njëra ndër masat që mund të merret ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi” në procesin e dialogut është edhe shqyrtimi i regjimit të vizave për të dy vendet, megjithatë për ministrin për Tregtinë e Jashtme të Francës, Olivier Becht, ky paralajmërim i Macron ndonëse është jashtëzakonisht i qartë nuk i drejtohet konkretisht Serbisë.

“Mesazhi i Presidentit të Republikës ishte jashtëzakonisht i qartë dhe nuk i drejtohej konkretisht Serbisë”, thotë Becht në një intervistë për mediumin serb, Blic.

Sipas tij Franca pret ri-angazhim të qartë të të dyja palëve në dialog konkretisht që Kosova dhe Serbia të angazhohen për de-përshkallëzimin në Veri të Kosovës, për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen edhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përndryshe do të ketë pasoja negative për palën ose palët që nuk përmbushin angazhimet e tyre”.

Urgjenca e nevojës në normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas ministrit francez, kërkon që gjërat të thuhen hapur, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është çelësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ajo rendit të gjitha çështjet e diskutueshme. Është e vetmja mënyrë e mundshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është një kusht i domosdoshëm për hyrjen e të dy vendeve në Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për ta arritur këtë. Me zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, zbatohen kushtet politike për integrimin evropian të të dy vendeve dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore