Lajme

Paralajmërimi i Escobarit për “konflikt rajonal” nëse s’ulen tensionet në Veri – “Fuqitë e barutit ballkanik po digjen ende”


Ndezjen e “alarmit” nga i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”, kryeministri kosovar Albin Kurti e komentojë me cinizëm të mërkurën, duke thënë se “për konflikt rajonal nevojiten më shumë se dy shtete”.

Megjithatë, mendim ndryshe nga Kurti, ka Srecko Latal, redaktor rajonal i Rrjetit të Kërkimeve Ballkanike (BIRN), i cili thotë se rreziku për konflikt ekziston vazhdimisht, por sipas tij, këtë e ka kuptuar me vonës Escobar.

“Më vjen mirë të shoh se i dërguari i lartë i ShBA-së për Ballkanin duket se më në fund e ka kuptuar seriozitetin e situatës në Kosovë”, tha Latal për Albanain Post.

Për analistin politik nga BeH, shumë ekspertë kanë paralajmëruar për më shumë se dy dekada se “fuçitë e barutit ballkanik po digjen ende”.

Srecko Latal

“SHBA dhe BE kanë lënë punë të papërfunduar në rajonin e Ballkanit, ku ndonjë nga disa mosmarrëveshje të pazgjidhura historike ose më të fundit etnike, fetare ose politike mund të çojë në një dhunë të re, apo edhe në një konflikt – qoftë në Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali të Zi apo Maqedoni e Veriut”, shpjegon ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, mendon se Escobar merr parasysh shumë elemente kur flet për sigurinë në Rajonin Perëndimor, teksa e pohon se një përshkallëzim i situatës mes Kosovës dhe Serbisë, mund të shtrihet edhe në vendet e tjera të rajonit.

“Kur është çështja e rajonit po e shihni që edhe në Mal të Zi pati shumë probleme më herët, por edhe në kohën e fundit është një tendencë të përshkallëzohet situata edhe pse për momentin nuk kemi një indikacion që mund të eskalojë situata”, theksoi ai për AP.

Rrezik për “përshkallëzim”, Qehaja potencon se mund të ketë edhe në Maqedoninë Veriore dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

“E shihni edhe Bosnje dhe Hercegovinën se në çfarë situate është, ndërsa në Maqedoni të Veriut nuk ka ndonjë lëvizje negative, por unë kujtoj që faktori serb atje është i theksuar, por tash për tash, e kemi një situatë të qetë”, vuri në pah ai.

Ramadan Qehaja

Prandaj, Qehaja insiston që këshillat e ndërkombëtare duhet t’i marr parasysh qeveria e Kosovës për deeskalim të situatës.

Ndërkaq në një konferencë për media të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se nuk beson që kriza në Veri mund të prodhojë një konflikt rajonal.

“Për konflikt rajonal nevojiten më shumë se dy shtete” dhe Kurti s’e parashikon dot përfshirjen “as të Malit të Zi, as të Maqedonisë Veriore”.

“Se kah mund të shkojë kriza në Veriun e Kosovës nëse nuk de-eskalon nuk mund ta di sot, por e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punë të brendshme të Kosovës. Qartazi burimin e esklaimit duhet ta gjeni në Beograd. Nëse ka të drejtë Escobar, adresa është me siguri Beogradi”.

Tensionet në Veri

Gjithçka mori të tatëpjetën me 26 maj kur Qeveria e Kosovës – pa koordinim me ndërkombëtarët – vendosi që, të shoqëruar nga policia, të fusë tre kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Serbët lokalë protestuan.

Tensionet u kthyen sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, ku për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore