Vende

Parajsa me emrin ‘Borsh’


Borshi renditet ndër destinacionet më atraktive, sa i përket plazhit dhe bukurive që ka.

Aq i kristaltë është uji, sa bëhet i parezistueshëm; aq ndjellës, sa të duket se liria përjetohet tërësisht vetëm kur shkel këmbëzbathur guriçkat e bardhë e bëhesh gati të zhytesh në detin e magjishëm Jon.

Me erën e këndshme të detit që të mbështjell, e qetësinë absolute të një destinacioni që vazhdon të të ofrojë plot hapësira të virgjëra të paeksploruara, në Borsh çdo turist ndihet si Poseidoni, sikur të jetë ai që zotëron atë det që është vërtet parajsa mbi tokë.

Në Borsh, harrohesh mes detit, diellit dhe gjelbërimit përreth e bashkë me veten, harron edhe streset e jetës.

E vetmja gjë që mund t’ju vër në mendime është zgjedhja e peshkut më të mirë për drekë!

Borshi është fare pranë shumë prej plazheve të tjera të bukura të rivierës Shqiptare, e të shumtë janë ata të cilët vendosin të përfshijnë në turin e tyre ndalesa në të gjitha këto pika.

Kalaja e Borshit

Natyra është treguar shumë bujare me tokën shqiptare. Sikur të mos mjaftonte ky det mahnitës, fare pranë kodrat e gjelbërta i japin edhe më shumë ngjyrë një peizazhi që duket se ka gjithçka të bukur që mund të të japë mëma natyrë.

Në një nga këto kodra, 500 m mbi nivelin e detit, gjendet Kalaja e Borshit, e cila daton që në shek e IV – III p.k. Muret rrethuese të kalasë arrijnë deri në 10 m ndërkohë që lartësia e saj shkon në 1.30 m.

Me shenjat e dukshme të historisë që mund të preken nga cilido dhe me detin e pafundëm që së largu ngatërrohet me qiellin, koha humbet nocionin e saj e ti mbetesh pa fjalë, duke shijuar githçka të bukur që Borshi të ofron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore