Lajme

Parag Agrawal, shefi i ri indian i Twitter-it


Shefi i ri ekzekutiv i platformës Twitter, Parag Agrawal, i cili ka lindur në Indi, ka zënë titujt e gazetave vendase që festojnë emërimin e tij.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se shefi i ri 37-vjeçar pason themeluesin e Twitter-it, Jack Dorsey.

Ky i fundit ka njoftuar të hënën e 29 nëntorit se do të largohet nga pozicioni i shefit të platformës.

Agrawal iu bashkua Twitter-it në vitin 2011 dhe përgjatë viteve u ngjit në grada derisa u bë shefi i teknologjisë së firmës.

Në Indi, lajmi për emërimin e tij ka shkaktuar shumë festime. Një vend ky, ku platforma ka më shumë se 30 milionë përdorues.

Shumë përdorues të Twitter-it, e kanë duartrokitur emërimin e tij, kurse të tjerë e kanë shtuar atë në listën e shefave ekzekutivë indianë që janë pjesë e firmave teknologjike.

Sipas vetë Dorsey-t, “ai është kurioz, hetues, racional, krijues, kërkues, i vetëdijshëm dhe i përulur”, prandaj dhe besimi te figura e tij është i madh.

Agrawal, nga ana tjetër, nuk e ka lënë këtë besim të ish-shefit pa përgjigje, duke shkruar në llogarinë e tij në Twitter se ishte “i emocionuar për të ardhmen”.

“Faleminderit, Jack. Jam i nderuar dhe i përulur. Dhe jam mirënjohës për udhëheqjen dhe miqësinë tuaj të vazhdueshme”, ka vijuar ai.

Ai është diplomuar në Institutin prestigjioz Indian të Teknologjisë (IIT) dhe disponon një doktoraturë në shkenca kompjuterike nga Universiteti Stanford.

Referuar “BBC”, para se t’i bashkohej Twitter-it, ai kishte punuar në Microsoft, Yahoo dhe gjigantin amerikan të telekomunikacionit, AT&T, në role të ndryshme kërkimore.

Kurse në Twitter, si zyrtar kryesor i teknologjisë, ishte përgjegjës për strategjinë teknike të kompanisë, duke udhëhequr punën për përmirësimin e shpejtësisë së zhvillimit.

Ndërkohë, emërimi i tij vjen në një kohë kur gjigandi i mediave sociale dhe qeveria indiane kanë qenë në mosmarrëveshje për fjalën e lirë dhe lajmet e rreme në platformë.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore