Manjati-politikan e kaloi karrierën duke përzier argëtimin me pushtetin.
Ai u shpëtoi skandaleve seksuale dhe po ashtu rimodeloi partinë me imazhin e tij të plastifikuar.
Pretendoi se zgjedhjet që i humbi i ishin vjedhur.
Forcat e zbatimit të ligjit kontrolluan bizneset e tij dhe ai lavdëronte pandërprerë mikun e tij të vjetër, presidentin rus Vladimir Putin.
Kundërshtarët, duke u kacafytur për ta luftuar politikisht, u mbështetën te prokurorët për ta rrëzuar atë përmes gjykatave.
Por ai arriti ta kthejë edhe këtë në favorin e vet, duke ngritur spektrin e persekutimit politik për të riaktivizuar elektoratin dhe për të qëndruar fort në qendër të politikës së vendit për vite me radhë.
Duket se tingëllon shumë si Donald Trump.
Por në fakt është Silvio Berlusconi, i cili ndërroi jetë të hënën e 12 qershorit në moshën 86-vjeçare.
Katër herë kryeministër i Italisë, Berlusconi dominoi politikën italiane për tre dekada dhe riformoi rrënjësisht peizazhin e vendit.
Sipërmarrësi fantastik, i cili u rrit në një familje të klasës së mesme në Milano dhe dikur këndonte këngë dashurie në anijet turistike për të fituar para, u bë i njohur si truri i televizionit komercial të Italisë.
Pas rënies së Republikës së Parë, në mesin e viteve 1990, ai iu përkushtua politikës me energji të jashtëzakonshme.
Historia e Berlusconi-t është një histori e pazgjidhshme italiane. Por shkon edhe përtej gadishullit.
Duke përdorur famën për të fituar pushtetin dhe duke menaxhuar kundër të gjitha gjasave për ta mbajtur atë, Berlusconi dha një model për karrierën politike të Trump-it.
Paralelet mes tyre janë të dukshme.
Të dy me ego të tepruar. Të dy njerëz të fortë të admiruar haptazi. Të dy ishin të fiksuar pas televizorit dhe kishin një prirje për shakatë pa kripë.
Të dy zotëronin një aftësi instinktive për të shfrytëzuar pasionet e popullatës. Njëri nga pronat e paluajtshme, tjetri nga media: U takuan në gjysmë të rrugës, në kufirin e argëtimit.
Po ashtu ndanë një predikim për politikën e paranojës.
Truket dhe çuditë e Berlusconi-t për t’iu shmangur kritikëve të tij rivalizuan, ndoshta edhe tejkaluan ato të Trump-it.
Paratë e heshtura që Trump i ka paguar Stormy Daniels duken thuajse të zakonshme në krahasim me kohën kur Berlusconi thirri policinë duke pretenduar se Karima el-Mahroug, një 17-vjeçare e ftuar në një nga festat e tij famëkeqe, ishte mbesa e ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak.
Duket se për çfarëdo akuze, ai kishte gjithmonë një përgjigje.
Pasuria e spikatur, e vlerësuar në 6.8 miliardë dollarë dhe që përfshin dhjetëra kompani që operojnë në media, financa, sport dhe pasuri të paluajtshme, ishte themeli i projektit të tij politik.
Ai predikoi versionin e tij të ungjillit të prosperitetit, duke ngjallur shpresë tek italianët e dëshpëruar nga një klasë politike e korruptuar dhe stanjacioni ekonomik.
Dy dekada përpara se Trump t’u bënte thirrje amerikanëve të lënë pas globalizimit, Berlusconi rrëmbeu imagjinatën e italianëve duke premtuar vende të reja pune dhe ulje taksash.
Berlusconi, një figurë oksimorone, predikoi “anarki etike” duke i dhënë ndihmë të djathtës ekstreme, duke gudulisur pasionet e njerëzve me bëmat e ekipit të tij të futbollit dhe duke e rrethuar veten me një oborr gjithnjë në ndryshim këshilltarësh, miqsh dhe kolegësh që shpresonin të përfitonin nga bujaria e tij proverbiale.
Ditën, ai mblodhi vota nga klasa punëtore.
Natën, ftoi mysafirët të admirojnë një vullkan artificial që shpërthen në kopshtin e pakufishëm të vilës së tij me 126 dhoma, miqësore me oligarkët, në bregdetin e Sardenjës.
Për shkak se Berlusconi nuk e ndau kurrë personalen nga politikja, rënia e tij ndodhi në të dy frontet njëkohësisht.
Ai, i pjekur në skarë nga kundërshtarët e tij politikë për përpjekjet për të përkulur ligjet në avantazhin e tij, u fut në një mënyrë jetese gjithnjë e më të zhurmshme.
Emri i tij u lidh në mënyrë universale me festat seksi që këmbënguli t’i përkufizonte si “darka elegante”.
Kur në vitin 2009 zgjodhi kandidatët për Parlamentin Evropian nga të ftuarat femra të këtyre tubimeve, gruaja e tij e dytë, Veronica Lario, protestoi publikisht kundër kësaj sjelljeje “të paturpshme” dhe bëri kërkesë për divorc.
Dy vjet më vonë, një letër nga Banka Qendrore Evropiane i dha fund karrierës së tij si kryeministër dhe një dënim për mashtrim tatimor e shtyu shpejt atë nga Senati.
Por ai nuk kishte mbaruar ende.
I shpallur i pafajshëm tre herë në gjyqe në lidhje me çështjet ‘seksuale’, ai u ripranua në Parlament në vitin 2022.
Dhe paçka pakësimit të mbështetjes elektorale për partinë e tij, Forza Italia, mbeti një figurë kryesore në politikën italiane, së fundi duke luajtur një rol kryesor në formimin e qeverisë aktuale.
Aftësia e tij për të hipur në një slitë me pengesa dhe rikthime mund të përkufizohet vetëm si trumpiste, ose ndoshta qëndrueshmëria e Trump-it është berluskoniane.
Por përtej ngjashmërive të spikatura midis dy burrave qëndron një ndryshim i madh.
Berlusconi ishte një tip diellor që kullonte optimizëm dhe shpresë për të ardhmen. Ai kishte një besim thuajse reganesk në tregun e lirë dhe iniciativën e pakufizuar të individëve – shumë larg proteksionizmit të Trump-it.
Teksa imazhi i Trump-it përkufizohet nga vështrimi i zymtë dhe i tërbuar që sodit shpalosjen e masakrës amerikane, personaliteti i liderit italian u transmetua më së miri nga buzëqeshja e tij plot shkëlqim.
Ai ishte vërtet vetvetja kur i argëtonte mysafirët e tij me batuta dhe këngë festive.
Personazhi i tij kishte një cilësi “Dolce Vita” që është e huaj për Trump-in.
Pavarësisht nëse kishte ndërmend apo jo, Berlusconi ishte vendimtar në krijimin e llojit të politikës së të famshmëve që Trump përdori për të marrë pushtetin dhe për të transformuar politikën amerikane.
Dy personazhet e njohur të politikës, të cilët ndanë aq shumë, kishin edhe një gjë të përbashkët.
Të dy mendonin se ishin të vetmit që mund të shpëtonin vendet e tyre.
Në këmbim, ata u akuzuan se ishin shkaktari i vetëm i sëmundjeve të vendeve të tyre.
Është dëshmi e ndikimit të jashtëzakonshëm të të dy showmen-ëve që, për një magji, një pamje kaq e thjeshtë mund të duket jo vetëm e besueshme, por e vërtetë.
Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për “Albanian Post”.