Euro 2024

Paqe me gola mes Skocisë dhe Zvicrës në pjesën e parë


Është mbyllur me shifrat 1 me 1 pjesa e parë mes Skocisë dhe Zvicrës, në raundin e dytë të ndeshjeve në grupe në Euro 2024, ku nuk ka munguar loja e fortë dhe spektakli.

Loja ka qenë tërësisht nën kontrollin e Zvicrës, por ishin skocezët, ata të cilët shënuan të parët.

Në minutën e 13-ë, falë një gabimi në mbrojtjen zvicerane, McTominay arriti të godiste në portë, por vendimtare ishte një ndërhyrje e pamenduar e Schar, i cili devijoi topin nga duart e Sommer dhe shënoi një autogol.

Skocia ka shënuar dy gola në Euro 2024 dhe të dy këta gola kanë qenë në fakt autogola nga ekipet kundështare.

Nga ana tjetër, Zvicra vijoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 26-ë gjeti rrugën e rrjetës falë një super goli nga Xherdan Shaqiri.

Ky i fundit përfitoi nga një top i kthyer gabimisht mbrapsht nga mbrojtja skoceze dhe goditi furimthi në trekëndëshin e majtë të portës. Asnjë shans për portierin skocez.

Zvicra shënoi gjithashtu një tjetër gol, i cili u anulua për pozicion jashtë loje.

Pjesa e dytë pritet të mbetet e hapur, teksa Zvicra në rast fitoreje do të siguronte kalimin nga grupi, duke iu bashkuar Gjermanisë, e cila është edhe e kualifikuara e parë për raundet me eliminim direkt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore