Pamje nga darka joformale në Athinë, Kurti në cep të tavolinës

Vitjon Nina
21.08.2023 22:03
Loading Icons...

Darka joformale në Athinë, mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, është tema kryesore e rajonit, për të cilën është diskutuar gjerë në ditët e fundit dhe përfundimisht po konkretizohet.

Me mungesën e madhe të Shqipërisë dhe një takim tjetër potencial mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, detajet nuk mungojnë në organizimin e tutëluar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe bekuar nga Bashkimi Evropian, me dy të dërguar luksi si Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen dhe ai i KiE-së, Charles Michel.

Pamja reflektuese nga tryeza e darkës gjithsesi, është së paku të thuhet tipikisht ballkanike.

Kështu, kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk ndodhet aty, pasi homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, për “tekat” e rastit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur himariot e të arrestuar nga SPAK për shitblerje votash, vendosi të mos e thërrasë.

Kërkesën për pjesëmarrje, në të kundërt, ia dërgoi presidentit Bajram Begaj, i cili për shkak të një tjetër agjende të paracaktuar, nuk e pranoi thirrjen e Mitsotakis.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, ndodhet në cep të tavolinës dhe pranë ka presidentin malazez, Jakov Milatoviç, i cili gjithsesi shoqëri më të mirë për çastin e shkrepjen së fotos gjen Charles Michel, duke i kthyer shpinën Kurtit.

Zakoni i vjetër nuk harrohet thjeshtë nga dyshja Greqi-Serbi dhe dy përfaqësuesit e lartë, Mitsotakis dhe Vuçiç, janë krah njëri-tjetrit në tryezë.

Ky i fundit madje, duket edhe i kënaqur, pasi ka arritur të sigurojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën e 22 gushtit, po në Athinë.

Po, Zelensky është pjesëmarrës në takim, pasi nisma e Mitsotakis ka të bëjë edhe me raportin që Ballkani ka me Luftën në Ukrainë dhe mbështetje maksimale është siguruar për Kievin.

Jo më kot, Zelensky me von der Leyen janë vendosur në mes të tryezës drejtkëndore, përballë Vuçiçit dhe Mitsotakisit.

Liderët e Bosnjë dhe Hercegovinës e Maqedonisë së Veriut, sërish në cep të tryezës, me Kroacinë më të anuar nga mesi e me zyrtarët e lartë moldavë e rumunë pranë Ukrainës, ashtu si në hartë.

Tryezë aspak rrethore dhe e barabartë, por pa diskutim, krejtësisht ballkanike.

Të fundit

Aktuale