Lajme

Pakënaqësia e veteranëve për pagën minimale – Kurti pritet t’i takojë krerët e OVL të UÇK-së


Këtë të premte të 17 qershorit në ora 9:00, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave Hekuran Murati, do të takohen me krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas votimit në parim të Projektligjit për pagën minimale, e në të cilin nuk janë përfshirë pensionet e veteranëve, derisa këta të fundit protestuan gati nëntë orë për këtë çështje të enjten para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Veteranët duan që pensioni i tyre të lidhet me pagën minimale dhe nëse paga minimale nga 170 euro zhvendoset me ligj në 250 euro të ngrihet edhe pensioni.

Në fjalimin e tij udhëheqësi i protestave të veteranëve dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, tha para masës se me Kurtin ishin marr vesh që të takoheshin një herë në muaj, por e pritën 8 muaj për ta takuar.

“Ai mendon se duke mos bashkëpunuar me ne si me sindikatat që jemi kategori ligjore, dhe duke mos na mbështetur e përkrahur, mendon se do të na shtrijë për toke ashtu siç po bën me sindikata. Por, ne i themi që qeveria shkon e vjen, e ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi përballë çdo qeverie e çdo kryeministri”, tha Klinaku.

“Fatkeqësisht, duhet të protestojmë për të mbrojtur vlerat e luftës dhe shkeljen e të drejtave që po ju bëhen ish-ushtarëve. Deputetët që shkelin ligje e interesa të popullit nuk e kanë vendin këtu”.

Më vonë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, theksoi se do t’i presë në takim veteranët për të dëgjuar kërkesat e tyre.

“Unë natyrisht që jam për dialog. Dhe jam për të diskutuar me organizatat e dala nga lufta, me veteranët dhe me këtë rast nuk është se dialogu nuk ka ekzistuar. Do t’i takojë veteranët e luftës dhe ky nuk është takimi i parë, i kam takuar edhe më herët, do t’i takojë sërish”, potencoi Kurti.

Por, ankesa e kryeqeveritarit në foltoren e Kuvendit përsëri ka qenë se nuk po pastrohen listat dhe se nuk janë 60 mijë veteranë, por më pak.

“Unë jam i gatshëm që të bashkëpunoj edhe me organizatat e dala nga lufta dhe, jo vetëm, në mënyrë që të vijmë tek ai numri i vërtetë”.

Opozita bllokoi foltoren, Konjufca ndërpreu seancën e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është detyruar t’i ndërprerje punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët e opozitës bllokuar foltoren  Kuvendit.

“Seancën e vazhdojmë javën e ardhshme, po ju paralajmëroj që seancat e Kuvendit nuk mund të bllokohen pafundësisht”, tha Konjufca.

“Seanca e sotshme shkoi si shkoi, pra me këtë bllokim i cili mua më u duk krejtësisht i paarsyeshëm, meqenëse nuk mendojë që ka pasur lidhje kjo seancë me temën për të cilën sot është protestuar dhe është bllokuar seanca. Nuk shoh kushte për vazhdimin e seancës pasi një pjesë e opozitës prapë po insiston që kjo seancë të bllokohet, e vazhdojmë atë javën e ardhshme”.

Mos vazhdimi i seancës ishte kërkesë ekskluzive e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur indinjatën e tyre kundër mos-përfshirjes në Projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë tri ditë më parë në Kuvend.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Veteranët e mllefosur thanë se janë të zhgënjyer nga institucionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore