Kosova

Pak muaj më parë thoshte se është “kurth” ta shkruante draftin për Asociacionin, tani Kurti e dërgon në Kushtetuese


Albin Kurti

Këtë të enjte, Qeveria e Kosovës i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku zotohet se do ta përgatisin një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojnë atë në Kushtetuese deri në fund të majit, por vetëm disa muaj më parë kryeministri Albin Kurti, kishte refuzuar që të shkruante një draft për këtë mekanizëm, derisa tregonte edhe rreziqet që mund të vinin nëse do ta bënte një gjë të tillë.

Ndonëse i ishte kërkuar vazhdimisht si nga akterët e jashtëm, ashtu edhe nga ata të brendshëm, Kurti nuk kishte propozuar në emër të Kosovës një draft-statut për Asociacionin, çka kishte bërë që ndërmjetësi, në këtë rast Bashkimi Evropian, të sjellë një të tillë, atë që “Pesëshja e Madhe” ia solli në zyrë kreut të ekzekutivit më 21 tetor të viti të kaluar, të cilin njohësit e Kushtetutës e kanë konsideruar si tejet të dëmshëm për vendin, madje si një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb.

Më 3 nëntor të vitit të kaluar, Kurti kishte deklaruar se nuk ka propozuar draft-statut për Asociacionin, për shkak se kishte besuar se ky do të ishte opsioni më i mirë, në mënyrë që ndërmjetësit mos të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiç – e cila kishte propozuar një draft për këtë mekanizëm në cilësinë e kryesues së Ekipit Menaxhues – dhe propozimit të tij.

Çka konkretisht kishte thënë Kurti?

Kryeministri Albin Kurti në seancën parlamentare të 3 nëntorit të vitit të kaluar, ku ishte ftuar nga opozita që të raportonte për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, posaçërisht pas pranimit të draft-statutit evropian për Asociacionin, në tentativë për të shpjeguar pranimin – të cilin, për ta kundërshtuar gjatë kohës së tij si opozitar, kishte organizuar protesta masive, madje kishte hedhur gaz lotsjellës në kuvend – kishte folur edhe për atë se pse nuk e ka propozuar një të tillë në emër të Kosovës.

Arsyeja, pohonte Kurti, “që unë konsideroj që do të kishte qenë gabim, ta zëmë në majin ose qershorin, që ne ta shkruajmë një statut për Asociacionin – sepse atëherë ka qenë trysnia edhe insistimi më i madh: shkruajeni Kosovë draft-statutin – është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft-statutin e deputetes së Serbisë, kreut të atij Ekipit Menaxhues, Danjiela Vujçiç, i cili është edhe më keq se Republika Srpska”.

“Nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft-statut, atëherë për mua, prej bisedimeve të brendshme, ka qenë shumë e qartë se ndërmjetësi ka tendencën ta gjejë mesataren, dhe ajo mesatare do të ishte shumë më e keqe për neve”, vlerësonte Kurti.

Atëherë Kosova, besonte Kurti, “qeveria, posaçërisht unë, do të vendoseshim në një kënd me komplet insistimin ndërkombëtar për një mesatare midis asaj që shkruajmë ne dhe asaj që tashmë e kishte shkruar Danjiela Vujçeviç”.

Kurti shprehej i bindur se po ta bënte një gjë të tillë ka qenë “kurth” për të.

“Jam i bindur për këtë gjë, madje edhe më shumë sot se sa në pranverë edhe në verë që po të kisha shkruar unë një draft-statut do të vinin me një mesatare aritmetikore mes Danila Vuçeviç-it dhe meje si kryeministër i Kosovës, dhe kjo të ishte në dëm të Kosovës”, deklaronte.

“Kam insistuar në parime, në principe. Dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft-statut, i cili njëmend i respekton këto principe, mirëpo prapë kam vërejtjet e mia”, shtonte.

Çka ndodhi?

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet që Qeveria e Kosovës do të përgatisë një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojë atë në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Gërvalla ka bërë të ditur në letrën që e ka dërguar më 15 maj se në Kushtetuese do ta çojnë një draftstatut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e përgatitur nga Bashkimi Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draftstatut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres.

Marrë për bazë këtë hapë konkret Gërvalla në letër ka potencuar se thotë se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore