Sport

Pak ditë para derbit, Tirana negocion me ministrinë për kapacitetin e stadiumit


Tirana do të përballet me Partizanin në atë që njihet si “Derbi i Kryeqytetit”, por dhe derbi më i fortë në futbollin shqiptar. Skuadrat do të luajnë të hënën në “Air Albania”, duke filluar nga ora 19:45.

Duke qenë se sfida pëlqehet nga shumë tifozë të të dy skuadrave, por edhe nga ata të futbollit shqiptar në përgjithësi, pritet që të ketë interesim të lartë për ta parë në shkallët e stadiumit.

Pengesa aktuale është kapaciteti prej 30% që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur për stadiumet në Shqipëri. Edhe pse një rregull i tillë u thye në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë, pak ditë më parë.

Klubi i Tiranës tanimë po negocion me ministrinë për të lejuar që stadiumi të hapet me kapacitet të plotë, pra me diçka më shumë se 22 mijë vende. Aktualisht janë shitur rreth 7 mijë bileta, kur jemi katër ditë para sfidës.

Biletat e ndeshjes varjojnë nga 500 deri në 5 mijë lekë. Në kushte normale, kur stadiumi do të ishte i hapur në 100% të kapacitetit, apo dhe nëse lejohet që të hapet, të ardhurat e klubit të Tiranës nga kjo ndeshje mund të shkojnë deri në 20 milionë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore