Financa

Pagat deri në 50 mijë lekë pa taksa, po buxheti i shtetit?


Zero taksa. Jo për të gjithë. Zero taksa për personat që marrin deri në 50 mijë lekë pagë.

Lajmin e dha vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nga heqja e kësaj takse preken drejtpërdrejt 55 mijë të punësuar, të cilët sot e kanë pagën mes nivelit 40 dhe 50 mijë lekë.

Por, si do të funksionojë buxheti i shtetit dhe a i ka shteti shqiptar kapacitetet?

Lidhur me këtë pyetje, eksperti i taksimit pranë ALTAX, Eduart Gjokutaj, shpjegon se ky vendim është i beftë, i padiskutuar apo dialoguar mes ekspertëve të sektorit të financave, ndaj sjell efekte.

Për Albanian Post, ai rendit dy prej tyre, “efekti i humbjes së besimit te politika dhe veçanërisht politika tatimore” dhe “ndikimi në buxhetin e shtetit”.

E para, thotë eksperti, “pasi vijon të mungojë protagonizmi i ekspertizës dhe prevalon politika, kur në fakt politika e thotë fjalën e vet në fund, pasi kanë diskutuar dhe analizuar ekspertët” dhe e dyta, “si një humbje e të ardhurës tatimore që është në nivele të pandjeshme”.

Ai shton se, në rastin e deklaratës politike për përjashtime të mëtejshme nga tatimet dhe në mungesë të studimeve të nevojshme për efektet negative dhe pozitive, si dhe ndikimet që kjo politikë e re ndërvepron me planet e biznesit janë në kuadër të njëanshmërisë dhe mungesës së dialogut duke ndikuar në ambientin e të bërit biznes.

“Nga ana tjetër, anashkalimi i asaj pjese të ekspertizës civile të pakapur nga pushteti dhe organizatave të biznesit, si dhe injorimi i gjithë rekomandimeve dhe komenteve që kanë bërë ekspertët e niveleve dhe kapaciteteve të ndryshme, është një tregues i cenimit të së drejtës për t’u dëgjuar”.

Eksperti sjell në vëmendje vendimin e qeverisë, të dy muajve më parë për përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë.

“Ndërkohë, ndryshimi në kohë kaq të shpejtë, kur nuk kanë kaluar vetëm 2 muaj nga ndryshimi i këtij ligji, konfirmon shqetësimet e ekspertëve të ndryshëm për miratimet e pastudiuara dhe të padialoguara me palët, e cila shkakton efekte negative në qasjen e bizneseve në ekonomi dhe jetën sociale”.

Kush përfiton e kush preket negativisht?

Në vijim, eksperti, teksa shqyrton ndikimet e këtij vendimi, shpjegon edhe se cilët janë përfituesit dhe cilët preken negativisht.

“Në një përjashtim fiton zakonisht përfituesi (punëmarrësi), të cilit nga paga midis 40 – 50 mijë lekë nuk do t’i mbahet tatimi prej 6.5%”.

Ai thekson se një avantazh tjetër “por në kushtet e besimit të biznesit te qeveria” është “zbardhja e pagave që deri më sot, për këtë fashë pagash mund të jenë mbajtur të deklaruara më ulët, për arsye të tatimit, edhe pse shuma e tatimit nuk është në nivele të tilla të ndjeshme që të nxitë tashmë kur përjashtohet një reagim pozitiv nga bizneset”.

Ndërkohë, siç thotë eksperti, negativiteti i shprehur në dëm të ekonomisë është se luhatshmëria e shpeshtë e normës tatimore, i orienton bizneset për të marrë masa që t’i paraprijnë një veprimi të ardhshëm të nxituar për të mos reaguar në formalizimin e pagave.

“Nga ky formalizim aktual i biznesit mundet që nesër t’i kërkohet tatimi, në rast se qeveria pendohet si në rastin aktual për rikthimin e tatimit mbi të ardhurat për profesionet e lira dhe kategori të tjera aktivitetesh. Një ndikim tjetër negativ është përdorimi i këtij veprimi politik, për një propagandë paraelektorale për përjashtimin dhe lehtësimin e punonjësve nga taksat nisur nga presioni i inflacionit”.

Duke marrë në konsideratë faktin që shteti siguron një pjesë të mirë të buxhetit përmes taksave, Gjokutaj sjell argumente sesi mund t’i sigurojë ato, ndërkohë që ndërmerr hapin për zero taksa.

“Mënyrat e mbushjes së buxhetit të shtetit në këto 10 vitet e fundit më së shumti janë adresuar nëpërmjet daljes me eurobonde në tregjet evropiane. Në 7 vitet e fundit, Ministria e Financave ka marrë 4 herë borxh nëpërmjet Eurobondit, në një shumë të përmbledhur sa 18% e të ardhurave tatimore gjithsej 13 miliardë euro, pa kontributet e sigurimeve të arkëtuara nga buxheti për 2015-2021”.

Sipas tij, pesha e borxheve të huaja është rritur dhe ka rikuperuar edhe gjithë humbjet e buxhetit nga politikat jo efektive të përjashtimeve tatimore, pasi këto lehtësime nuk kanë stimuluar dot një rritje ekonomike mesatare vjetore për dekadën e fundit më shumë se 1.7%.

“Stabiliteti i buxhetit vjen në radhë të dytë edhe nga efektivizimi i administrimit tatimor dhe goditja e evazionit aty ku ai ndodhet nëpërmjet menaxhimit të riskut, por edhe duke miratuar politika fiskale të mirëpranuara, por më së pari të diskutuara me ata që i zbatojnë dhe bëjnë ekonominë e vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore