Shqipëria

Padia kundër FSHF-së, Gjykata e Tiranës i jep të drejtë Bashkisë


Të enjten e 10 shkurtit, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës, në padinë që ky institucion, në cilësinë e aksionarit në Klubin e Futbollit Tirana, ka ngritur kundër kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.

Bashkia e Tiranës, me në krye Erion Veliajn, ka paditur Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së.

Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore.

Sipas vendimit të Gjykatës, hidhen poshtë të gjitha vendimet e marra nga Shoqata Rajonale Tiranë dhe pretendimet e FSHF-ës duke regjistruar Eduard Prodanin, i cili kandidoi për postin e kryetarit.

Përplasja “Duka-Veliaj”

E diela e 23 janarit do të bënte që mediat të gëlonin mbi një çështje të paprecedentë në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës,  do ta padiste Armand Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së, duke përpiluar një dosje voluminoze edhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nga vetë Federata, përgjigjja erdhi e shpejtë.

Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore. Por, ato u faktuan të hënën e 24 janarit, kur Prokuroria e Tiranës nisi zyrtarisht hetimin për Dukën.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka

Megjithatë, nga vetë federata, çështja u shpërfill. Ata u fokusuan tek goditja ndaj vetë Veliajt dhe nxorrën në dritë një audiopërgjim 30 minutësh, nga mbledhja e kryebashkiakut të Tiranës më disa zyrtarë të klubeve sportive tiranase.

Akuzat e Prodanit

Gjatë zgjedhjeve për kryetarin e Shoqatës së Futbollit Tiranë, një prej kandidatëve në garë, Eduard Prodani ka pasur kundërshtime.

Pasi ka konstatuar se në sallë ishin më shumë delegatë në numër sesa ishte përcaktuar më herët, Prodani është larguar.

Kujtojmë se, në bazë të të dhënave nga FSHF-ja, kjo shoqatë përfaqësohet nga 41 delegatë.

“Atëherë, siç prisnim në sallën e asamblesë gjetëm më shumë sesa numri i duhur i delegatëve. Duhet ta dini që kam insistuar që të jepej numri i delegatëve. Ka qenë manipulim i listës së delegatëve”, tha Prodani në dalje nga ambientet e FSHF-se.

Numërimi i votave për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës

Pas përfundimit të numërimit të votave për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, me një rezultat prej 44-2, në krye të kësaj shoqate, u zgjodh Krenar Alimehmeti.

Alimehmeti në këto zgjedhje u njoh si kandidati që kishte mbështetjen e FSHF-së.

Ndërsa, Prodani kishte mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zbuloi dhe pesë fituesit nga gjashtë që ishin në garë për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.

Të zgjedhurit janë: Fatjon Muhameti, Arbër Laçi, Marko Pelinxhi, Ervin Canollari dhe Florian Mema.

 

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore